Ballina Vendi Komunitetet fetare kerkojne hartimin e nje ligji per parandalimin e veprimtarive...

Komunitetet fetare kerkojne hartimin e nje ligji per parandalimin e veprimtarive te sekteve fetare

2

Përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri kërkojnë me urgjencë nga autoritetet shtetërore hartimin e një ligji për parandalimin e veprimtarisë së sekteve të ndryshme që operojnë në vend. Ata thonë se katër vdekjet e dyshimta të ndodhura përgjatë dy viteve të fundit nuk janë zbardhur nga institucionet ndërsa autorët janë të lirë.

Komunitetet fetare në Shqipëri e shohin me shqetësim rritjen e veprimtarisë së sekteve të ndryshme, përfshi edhe ato sataniste.

Çako: Kryejnë rituale satanike e kafshë dhe njerëz në vende të shkreta. Ata gjurmojnë njerëz të cilët kanë padituri nga ana fetare dhe probleme sociale, të vetmuar, të braktisur dhe të dëshpëruar.

Gurra: Ky realitet i ri për besimtarët shqiprtarë është jo vetëm shqetësues por dhe i frikshëm sepse manipulimi i njerëzve, besimtarëve, qytetarëve, i të rinjve kryesisht, është shumë shqetësues.

Katër persona, të dyshuar pjesë e këtyre sekteve kanë humbur jetën në mënyrë të mistershme në dy vitet e fundit.

Drejtori i Katetizmit në Kishën Ortodokse, Miron Çako, shprehet i pakënaqur me punën e institucioneve hetimore duke thënë se rastet janë mbyllur pa autorët para përgjegjësisë.

Çako: Nuk mendoj që Evgjenia vdiq nga një dhëmballë apo se familja Josifi, nënë dhe bijë, e bënë atë thjesht se jua tha mendja e tyre. Patjetër ka njerëz që i inspiruan, i çuan deri atje. Duhen gjetur ata njerëz.

Gurra: Grupimet okulte apo sataniste nuk duhen lënë në hije.

Nga shteti kërkojnë urgjentisht hartimin e një ligji, mungesa e të cilit është një ndër arsyet që Shqipëria lakmohet nga këto sekte.

Çako: Urgjentisht duhet bërë ligji dhe struktura për të parandaluar të tilla gjëra, do kenë pak frikë dhe nuk do të jenë kaq të lirshëm për të bërë çfarë duan.

Por përveç shtetit, ish-Myftiu i Tiranës Ylli Gurra apelon më shumë angazhim edhe nga komunitetet fetare.

Xhamitë e kishat, thotë ai, duhet të përcjellin vërtetësinë e besimit pa lënë shtigje për keqinterpretime.

Gurra: Duhet të bëhen pengesë e fuqishme përmes ligjërimit, komunikimit publik dhe përcjelljes së literaturave zyrtare.

Por edhe prindërit duhet të jenë më të kujdesshëm ndaj fëmijëve. Adoleshentët mund të bihen lehtë pre e mashtrimeve.

Çako: Adoleshenca ka edhe atë kërshërinë të hyjë në zona të errëta, rinia me atë pavarësinë e vet kërkon ti provojë dhe përfund në satanist pa e kuptuar.

Alarmin për rritjen e veprimtarisë së sekteve në Shqipëri e kanë ngritur shpesh herë dhe ekspertë të kriminalistikës por pavarësisht denoncimeve nga institucionet ende nuk janë marrë masa konkrete.