Ndonëse nuk kemi një shifër zyrtare, thuhet se mes ushtarëve ukrainas që luftojnë përballë Rusisë në këto 4 ditë, janë edhe shtetas shqiptarë. Një i ri shqiptar, i cili nuk ka pranuar që të identifikohet, me arsyetimin se u cënohet siguria atij dhe shumë bashkëkombësve të vetë, sjell rrëfime dramatike nga fronti i luftës për BalkanWeb. Shqiptari, i cili kontakton me një numër amerikan, pohon se është pjesë e ushtrisë ukrainase, ndërkohë që prej vitesh ai jeton në SHBA. Ai deklaron për BalkanWeb se bashkë me 9 shqiptarë të tjerë janë në front të luftës 13 km në veri të Kievit, ndërkohë që shpreh shqetësimet e tij nga terreni.
“Jemi 9 shqiptarë këtu. Më i madhi është 44 vjeç. Vijmë nga vende të ndryshme, jemi shqiptarë nga USA, apo dhe Kanadaja, ushtarë dhe ish-ushtarë”, tha ai.
Ai pohon se armiku (ushtria ruse) po avancon drejt Kievit, ndërsa shton se këto forca janë të shumta në numër. “Ata po avancojnë dhe beteja është e vështirë. Por pavarësisht se janë të shumtë në numër, nuk kanë guxim. Shumë prej robërve që kemi kapur, pohojnë se nuk ishin nisur për luftë dhe se i kanë mashtruar. Ata nuk duan të luftojnë kundër Ukrainës.”, thotë shqiptari.
I pyetur se si është gjendja e ushtarëve shqiptarë, nëse ka pasur apo humbje në mesin e tyre apo dhe të plagosur, shqiptari jep lajmin e mirë se ata gëzojnë shëndet dhe janë mirë.
“Falë Zotit jemi mirë të gjithë. Vetëm disa lëndime të vogla”, shton ai. Madje shqiptari jep dhe video nga fushë beteja, ku shihet se si kolegët e tij ukrainas filmojnë atë çka ndodh në terren, ku pamjet e luftës janë të qarta. Në videot e siguruara nga BalkanWeb shihet se si sulmohen tanke, apo hidhen raketa, ndërsa në qiell shfaqen shtëllunga tymi, ndërsa ushtarët ecin të qetë, në misionin e tyre; për të luftuar armikun. Po ashtu, shqiptari ka siguruar për BË edhe pamje nga fronti i luftës dje në Kharkivi, ku shihet se si i zihet rruga dhe kapen mat tanket ruse. Ndër të tjera i riu ka dërguar edhe një video ku shfaqet një ushtar rus i kapur rob. Ushtari rus, që ka dëmtime në sy dhe është i fashuar, dëgjohet teksa flet në telefon ku sqaron se është kapur nga forcat ukrainase.
BalkanWeb sjell si dëshmi të bisedës me shqiptarin pjesë nga komunikimi me të, por për shkak të situatës nuk mund të verifikohet vendndodhja e tij.