Ballina Vendi Perfundon pas 10 oresh marrja ne pyetje e Edi Rames!

Perfundon pas 10 oresh marrja ne pyetje e Edi Rames!

2

Ka përfunduar pas 10 orësh marrja në pyetje e kryeministrit Edi Rama në komisionin hetimor parlamentar për inceneratorët.

Në seancën ku nuk munguan përplasjet dhe debatet, Rama nuk mori përsipër asnjë përgjegjësi për inceneratorët, duke thënë se kryeministri zakonisht firmos shkresa që i vijnë të gatshme.

Sa i takon ministrit Lefter Koka që gjendet pas hekurave, Rama tha se përgjegjësia e tij është personale, dhe nuk lidhet me procedurat e ndjekura nga qeveria për inceneratorët.

Ndërkohë që i akuzuar nga deputetët e opozitës, se i shet të gjithë bashkëpunëtorët e tij, Rama tha se u del për zot të gjitha gjërave që bën, qoftë edhe gabimeve.

“U dal për zot të gjitha gjërave që bëj dhe gabimeve që bëj. I vë gjoksin çdo ministri sa kohë betejat janë të lidhur me punën e përbashkët nëse secili pas kurrizit tim ka edhe agjendë tjetër nuk është puna ime është punë e tij”, tha mes të tjerave Rama.

Sa i takon inceneratorëve, Rama tha se qeverisë i është dashur të ndërhyjë, për shkak të emergjencës mjedisore në të cilat ndodheshin mjaft qytete të vendit, përfshirë Durrësin, Tiranën, Elbasanin apo Fierin.

Në fund të seancës, kryetarja e komisionit Jorida Tabaku u shpreh se nuk prisnin të merrnin përgjigje nga Rama, dhe se dokumentet që ata kanë grumbulluar kanë qenë të mjaftueshme për hetimet.

Nga ana e tij Rama i tha deputetëve të opozitës se ishin ‘turpi i vendit’. Rama ishte dëshmitari i fundit në listën me 41 personave që do të merreshin në pyetje nga Komisioni Hetimor.