Ballina Vendi Pasojat e luftës Rusi-Ukrainë/Nafta rritet mbi 105 dollarë, Shqipëria ka rezerva për...

Pasojat e luftës Rusi-Ukrainë/Nafta rritet mbi 105 dollarë, Shqipëria ka rezerva për 3 muaj

2

Çmimet e naftës kërcyen të enjten në bursat ndërkombëtare. Treguesi referencë i naftës europiane Brent shkoi mbi 105 dollarë për fuçi për herë të parë që nga viti 2014, pasi sulmi rus ndaj Ukrainës përkeqësoi shqetësimet për ndërprerjet e furnizimit global me energji. Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës nga toka, ajri dhe deti, duke shënuar sulmin më të madh të një shteti kundër një tjetri në Europë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Shtetet e Bashkuara dhe Europa kanë pohuar se do të vendosin sanksione më të ashpra ndaj Rusisë si kundër përgjigje.

Nëse sanksionet prekin transaksionet e pagesave, bankat ruse dhe ndoshta edhe sigurimin që mbulon dërgesat e naftës dhe gazit rus, ndërprerjet e furnizimit nuk mund të përjashtohen”, tha analisti i Commerzbank, Carsten Fritsch.

Nafta e papërpunuar Brent u rrit 8,24 dollarë, ose 8,5%, në 105,08 dollarë për fuçi. Nafta e papërpunuar referencë e Teksasit Perëndimor (WTI) u rrit me 7,78 dollarë, ose 8,5%, në 99,88 dollarë. Brent dhe WTI arritën nivelet më të larta që nga gushti dhe korriku 2014 përkatësisht.

“Rusia është prodhuesi i tretë më i madh i naftës dhe eksportuesi i dytë më i madh i naftës. Duke pasur parasysh inventarët e ulët dhe pakësimin e kapaciteteve rezervë, tregu i naftës nuk mund të përballojë ndërprerje të mëdha të furnizimit,” tha analisti i UBS, Giovanni Staunovo.

“Shqetësimet e furnizimit mund të nxisin gjithashtu aktivitetin e grumbullimit të naftës, i cili mbështet çmimet.”

Rusia është gjithashtu ofruesi më i madh i gazit natyror në Evropë, duke siguruar rreth 35% të furnizimit të saj. Reuters shkruan se furnizimet globale të naftës mbeten të kufizuara ndërkohë që kërkesa po rimëkëmbet nga nivelet më të ulëta të pandemisë.

“Kjo pasiguri në rritje gjatë një kohe kur tregu i naftës është tashmë në ngërç e bën atë të brishtë dhe si rrjedhojë çmimet ka të ngjarë të mbeten të paqëndrueshme dhe të ngritura,”-tha Warren Patterson, kreu i kërkimit të mallrave të ING.

Analistët besojnë se Brent ka të ngjarë të qëndrojë mbi 100 dollarë për fuçi derisa të bëhen të disponueshme nga OPEC furnizimet e rëndësishme alternative, si shist argjilor amerikan ose Irani, për shembull.

Shqipëria ka rezerva për tre muaj

Të kontaktuar nga Monitor, aktorët e tregut thanë se Shqipëria në bazë të ligjit, ka rezerva për tre muaj. Nëse situata përshkallëzohet atëherë çmimet e naftës do të vijojnë rritjen dhe e gjithë vëmendja do të jetë se çfarë drejtimi do të marrë konflikti. Aktualisht në tregun vendas, nafta është në nivele rekord prej 192-194 lekë. Rishikimi i fundit është bërë kur nafta në bursa tregtohet me rreth 90 dollarë për fuçi. Importuesit pohojnë se nëse tendenca rritëse vazhdon në bursa, shtrenjtimi i mëtejshëm i karburanteve në vend është i pashmangshëm.