Ballina Kulture LINDJA DHE ZHVILLIMI I PAZARIT TË ROSKOVECIT

LINDJA DHE ZHVILLIMI I PAZARIT TË ROSKOVECIT

5

Nga Ilirjan Gjika

Historia moderne e Roskovecit do të nisë pas vitit 1690, kur Venediku pushtoi Vlorën (Histori e Shqipërise, Vëll I, Tiranë 1959, f. 400). Në këto kushte, sanxhakbeu Kapllan Mehmet Pashë Vlora, e shpërnguli selinë e tij në Berat në brendësi të vendit (Eqrem Bej Vlora, Kujtime, Tirane 2003, fq.606). Rimarrja e Vlorës nga osmanët pas disa vitesh nuk e ndërroi qëndrën e sanxhakut të Vlorës. Kështu rrugës fushore të komunikimit midis qëndrës së re të sanxhakut, Beratit, dhe skelës së Vlorës i duheshin disa stacione të reja rrugore. Kështu për nevoja të pushimit të kuajve dhe njerëzve që lëviznin në këtë itinerar u zhvilluan Roskoveci dhe Fieri. Dy rrugët që e lidhnin me detin (Beratin-shënimi im I.Gj) ishin njëra që kalonte nëpër Qafën e Sqepurit, në Roskovec, Fier dhe Vlorë dhe tjetra që kalonte mbi Seman, Lushnje, Kavajë e Durrës, thekson Zija Shkodra (Zija Shkodra, Esnafët Shqiptarë (shek XV-XX, Tiranë 1973, f. 195). Këto stacione rrugore morën impuls të madh zhvillimi gjatë kohës së sundimit të sanxhakbeut të Beratit, Ahmet Kurt Pashës (1768-1789), i cili financoi punime të mëdha botore si rrugë dhe ura. Përfshirja e tij në këtë itinerari të ri e rriti rëndësinë e Roskovecit si një stacion i kësaj rruge. Më pas bashkë me rrugën nisi të funksionojë edhe qëndra e ekonomisë së këtij vendbanimi ‘’Pazari i Roskovecit’’. Por deri më tani nuk jepet asnjë e dhënë e drejtëpërdrejtë e kohës, se kur u themelua ky treg i njohur. Mendohet se ai u krijua pas rënies së pashallëqëve shqiptare në vitet 20-30 të shekullit të XIX kur në Shqipëri krijojet tregu i brendshëm dhe zgjerohet rrjeti tregtar. Pas shembjes së sistemit esnafor dhe doganor të pashallëqeve nis të zhvillohet edhe tregtia e vogël fshatare ku një formë e njohur ishin edhe tregjet javore, të ngritura pranë qëndrave të vogla, nyjeve rrugore dhe zonave të pasura agrare. Në Shqipërinë Jugore njihej midis të tjerëve edhe pazari i Roskovecit në Myzeqe, thekson në librin e tij ‘’Qyteti Shqiptar Gjatë Rilindjes Kombëtare’’, studjuesi Zija Shkodra (Zija Shkodra, Qyteti Shqiptar Gjatë Rilindjes Kombëtare, Tiranë 1984, f. 223). I të njëjtës kohë ose pak më i vonshëm duhet të jetë edhe tregu i Fierit. ‘’Fieri shdërrohet në një treg rajonal në vitin 1864, kur me ngritjen e magazinave të para, ndërtimit të skelës së Semanit dhe ardhjen e banorëve të parë, thekson autori Hysen Emiri, në librin e tij ‘’Historia e Fierit’’ (Hysen Emiri, Historia e Fierit, Gutenberg, Kavajë 2001, f. 54). Po ky autor shkruan se: ‘’rritja e prodhimeve bujqësore, solli si nevojë lindjen e tregjeve lokale’’, nga të cilat përmend Fierin, Ballshin, Libofshën dhe Roskovecin ( Po aty, f. 73). Ndërsa në një faqe tjetër, tek i njëjti libër ai na jep edhe një të dhënë tjetër rreth këtij tregu ku thekson se: ‘’Roskoveci pazarin e bënte ditën e enjte’’. Pazari i Roskovecit mund të ketë nisur aktivitetin e tij gjatë periudhë së reformave turke të Tanzimatit (1839-1856). Rreth këtij fakti, Zija Shkodra, thekson se: ‘’Pas këtyre reformave me qëllim që ti jepej mundësia popullsisë së krishterë për tu marrë me shërbime fetare, e diela si ditë u zëvendësua kudo me një ditë tjetër që ndryshonte sipas krahinave (Zija Shkodra, Esnafët Shqiptarë (shek XV-XX, Tiranë 1973, f. 201). Një gjë e tillë mund të ketë ndodhur edhe në krahinën e Roskovecit. Për ekzistencën e komunitetit ortodoks në këtë krahinë, të dhëna interesante na i sjell Peshkopi i Mitropolisë së Beratit, Anthim Aleksudhi. Këto të dhëna ai i grumbulloi në vitet 1855-1887 nga inspektimet e njësive dhe komuniteteve që kishte në varësi kjo mitropoli. Sipas tij, enorija e Roskovecit, Strumit dhe Marinëzës përbëhej nga fshatrat: Strum, Kumarak, Çiflig i Ri, Strum i Vogël, Matka, Stan Matka, Kallfan, Pobrat, Velmish, Jagodinë, Marinëz, Havaleas, Roskovec, Kuman, Suk, Drenovicë dhe Belinë. Në të banonin 124 familje (Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, Ionia, Kerkyra 1868, f. 62). Ndërsa në Enorinë e Çervenit bënin pjesë fshatrat Çerven, Luar, Kurjan, Xhuxhan, Poçest, Allambrez dhe Ngjeqar. Ajo kishte në përbërjen e saj 66 familje ortodokse dhe praktikat fetare i ushtronte në kishën e Shën Nikollës në Kurjan ( Alexoudes, f. 63). Kështu nisi edhe zhvillimi i këtij tregu i cili do të bëhej i njohur për të gjithë rajonin përreth. Vetë pazari u ngrit përgjatë rrugës së Kurjanit në vendin e quajtur ‘’Frashër’’ sepse aty pranë ndodhej një pyll i vogël me pemë frashëri. Dëshminë më të qartë në këtë drejtim e jep, Gustav Vaigand, i cili e vizitoi Roskovecin në vitin 1889. Midis të tjerave, gjuhëtari gjerman shkruan se: ‘’… afër drekës ishim në fshatin Roskovec, që i thonë dhe Frashër. Kishte shumë bujtës, pasi këtu bënin pushim udhëtarët që shkonin në Vlorë dhe Berat…’’ (Gustav Vaigant, Die Aromunen, J. A. Barth, Laipsig 1894, botimi greqisht, shqipëruar nga Bujar Muçaj). ‘’Këtu tregtoheshin mallra të karakterit bujqësor, artizanal dhe industrial. Në këtë treg vinin tregtarë dhe blerës jo vetëm nga rajoni përreth, por edhe nga gjithë vendi. Një e veçantë e “Pazarit të Roskovecit” ishte se aty gjeje edhe prodhime prej ari, argjendi dhe gurësh të çmuar si dhe ushtronin aktivitetin e tyre edhe tregtarë dhe grosistë nga më të njohurit e kohës’’, shkruan Thoma Goga në shkrimin e tij publicistik: ‘’Roskoveci qyteti stacion’’ (Thoma Goga, Roskoveci-qyteti stacion, Gazeta Dita, dt 8 maj 2016). Dhe nga një vendbanim rural, Roskoveci, do të shdërrohet gradualisht në një qytezë tregtare. Aty ishte ngritur një han, disa zanaçinj që i shërbenin karvaneve, disa njësi shitjeje, etj. Hanet ishin stacione pushimi për udhëtarët dhe tregtarët të cilat ishin ngritur përgjatë rrugëve kryesore. Për hanin e Roskovecit na dëshmon edhe arkeologu austriak Kamilo Prashniker. ‘’Tek hani i Roskovecit arrijmë numrin e miljeve të stacionit Stephanaphana’’, shkruan ai në faqen 99 të librit të tij ‘’Myzeqeja dhe Mallakstra’ të botuar në Vjenë në vitin 1920 nga Alfred Holder. Por rëndësi të madhe kësaj qëndre tregtare i dha gjatë dekadave të para të shekullit XX edhe të qënit ‘’stacion’’ i rrugës Tiranë-Durrës-Vlorë. Ja seç shkruan për këtë çështje ing. Jovan Adami, studjues i rrugëve dhe objekteve arkeologjike. ‘’Meqë nuk ishte çelur rruga Lushnje-Brostar (Mbrostar-shënimi ynë), për të shkuar në Vlorëduhej ndjekur rruga e Berati deri në Tapi, ku ndahej një rrugë e cila nëpër Qafën e Sqepurit e Roskovec dilte në Fier (Jovan Adami, Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri, Sh. B. ‘’8 Nëntori’’, Tiranë 1983, f. 79). Ndërkohë që në vitet 1926-1937 me ndërtimin e segmenteve rrugore Lushnje-Mbrostar, dhe ndërtimin e urave mbi lumenjtë Seman dhe Vjosë, rruga nga Tirana në Vlorë tashmë nisi të kalonte nga Fieri (Po aty, f. 82). Gjithsesi kjo nuk e zbeu rëndësinë e Roskovecit sepse përgjatë tij nisi të kalojnë trafiqe të rëndësishme të pajisjeve industrial dhe njerëzve përgjatë segmentit Vlorë-Kuçovë. Zbulimi i rezervave të naftës nga AIPA italiane në Kuçovë dhe vënia në shfrytëzim e saj bëri që transporti i arit të zi nga viti 1929, kur u vu në shfrytëzim pusi i parë e deri në vitin 1935, kur u ndërtua tubacioni magjistral, të bëhej me autobote të cilët kalonin nga Roskoveci. Në këtë kohë në Roskovec do të ndërtohet edhe objekti i parë industrial. I tillë tubacioni i naftës dhe stacioni i pompimit të saj në Strum si pjesë e magjistralit që lidhte vendurimin e Kuçovës me depozitat e portit të Vlorës. nga ku nafta me anije çisternë transportohej drejt Italisë. Ai u ndërtua në vitet 1934-1935 nga AIPA me gjatësi 74 km dhe kalonte në Strum dhe Roskovec për të vijuar më tej drejt Fierit. Një gjë e tillë ja shtoi rëndësinë ekonomike Roskovecit dhe pazarit të tij sepse nga përfshirja e një pjese të madhe të komunitetit vendor si punonjës në këtë industri, gjë që solli rritjen e fuqisë blerëse. Nga regjistrat e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Beratit per vitin 1943, në pazarin e Roskovec ushtronin aktivitetin e tyre 16 tregtarë të ndryshëm, tre kafe-pijetore, nje han, një berber, dy furra buke dhe dy makina për bluarjen e miellit, (Iljaz Fishta-Theodhori Kareco, Prona private në Shqipëri 1924-1944, Dituria, Tiranë 1996). Të ardhurat e mëdha që sillte Pazari i Roskovecit dhe zhvendosja e tij Luar kishin sjellë në të kaluarën edhe konflikte. Në faqen 242 të librin e tij ‘’Historia e Fierit’’, Hysen Emiri, na tregon për një ngjarje që u shoqërua me disa vrasje midis dy familjeve të njohura të kësaj zone për kontrollin e tij. Ndërkohë që të dhëna interesante për pazarin e Roskovecit na sjell edhe Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 1985. Në faqen e tij nr. 928, në zërin Roskoveci, midis të tjerave lexojmë. Roskoveci qytet në rrethin e Fierit rrëzë kodrave të Kurjanit në dy anët e rrugës Fier-Berat. Fshati I Roskovecit rreth viteve 30 të shekullit të XIX mori rëndësi duke qënë në mes të një krahine bujqësore dhe u bë qëndër administrative dhe ushtarake. Njihej me emrin Tregu i Frashërit meqë bëhëj treg i madh bujqësor në një vend me drurë të mëdhenj që u dëmtuan në vitin 1925. Ndërkohë që të dhëna interesante për pazarin e Roskovecit na sjell edhe Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 1985. Në faqen e tij nr. 928, në zërin Roskoveci, midis të tjerave lexojmë: Roskoveci qytet në rrethin e Fierit rrëzë kodrave të Kurjanit në dy anët e rrugës Fier-Berat. Fshati i Roskovecit rreth viteve 30 të shekullit të XIX mori rëndësi duke qënë në mes të një krahine bujqësore dhe u bë qëndër administrative dhe ushtarake. Njihej me emrin Tregu i Frashërit meqë bëhëj treg i madh bujqësor në një vend me drurë të mëdhenj që u dëmtuan në vitin 1925. Por cilat ishin artikujt që shiteshin në pazarin e Roskovecit? Një artikull ishte në vjeshtë edhe rrushi. Një fakt i tilë është mëse i vërtetë pasi kultivimi i vreshtarisë në këtë zonë dokumentohet që nga viti 1431. Sipas regjistrit kadastral Osman të Sanxhakut të Vlorës vreshtat dhe pjergullat neshet në fshatrat Kurjan, Siqecë dhe Strum (Regjistrit Kadastral Osman të Sanxhakut të Vlorës, viti 1431-1432, 8 b, nr 159, 196). Po kështu tregtoheshin prodhimet vendase si ulliri, vaji i tij, drithërat e bukës, bagëtitë, prodhimet e artizanatit vendas si rrogoza, samarë, kosha dhe Nga zonat e tjera vinte vinte kripa, prodhimet e qeramikës, veglat e punës, manifaktura, mallrat koloniale si kafeja dhe sheqeri, prodhimet industriale, etj. Reth këtij problem, Thoma Goga, shkruan se: ‘’ Këtu tregtoheshin mallra të karakterit bujqësor, artizanal dhe industrial. Në këtë treg vinin tregtarë dhe blerës jo vetëm nga rajoni përreth, por edhe nga gjithë vendi. Një e veçantë e “Pazarit të Roskovecit” ishte se aty gjeje edhe prodhime prej ari, argjendi dhe gurësh të çmuar si dhe ushtronin aktivitetin e tyre edhe tregtarë dhe grosistë nga më të njohurit e kohës’’ (Thoma Goga, Roskoveci-qyteti stacion, Gazeta Dita). Por pazari, bëri që të rritej edhe rëndësia e Roskovecit. Kështu në vitin 1923 krijohet “Komuna “Tregu i Frasherit” që ishte në përbërje të Rrethit Qendër të Prefekturës Berat. Popullsia e kësaj krahine ishte 9413 banorë dhe përfshinte 32 fshatra. Ndërsa në vitin 1928 popullsia përbëhej nga 7632 banorë dhe përmblidhte 25 fshatra si: Arapaj, Cukalat, Çiflik- Strum, Çomlekaj, Donofrosa, Drenovica, Ngjeqari, Hallambrezi, Jagodina, Kumani, Kumaraka, Kurjani, Luari, Marinza, Matka, Pobrati, Rërëza, Roskoveci, Sllanica, Stamatica, Strumi, Suku, Velmishi, Vidhishta dhe Ngraçie. Me këtë organizim Roskoveci do të vijë deri në vitet e çlirimit. Në vitin 1956 Roskovecit u shdërrua në lokalitetit në përbërje të rrethit të Fierit duke prishur lidhjet dhe komunikimin tradicional. ‘’Ky shndërrim dhe kalimi nga rrethi i Beratit në atë të Fierit veç të tjerash u bë për të shkatërruar edhe atë që ishte epiqendra e jetës ekonomike të krahinës, “Pazarit të Madh të Roskovecit”, shkruan rreth kësaj teme publicist Thoma Goga (Thoma Goga, Roskoveci-qyteti stacion, Gazeta Dita, dt 8 maj 2016). Pas luftës, masat e ndërmarra nga regjimi dhe organizimi ekonomik patën ndikimin e tyre në ecurinë e pazarit. Si treg përgjithësisht i prodhimeve bujqësore dhe blegtorale ai u godit nga kolektivizimi i bujqësisë. Ngritja e Fermës së Roskovecit dhe kooperativave bujqësore fqinjë bëri që të kufizoheshin sasitë e prodhimeve që tregtoheshin aty. Po kështu ngritja e sektorit shtetëror të tregtisë dhe shërbimeve e prishi strukturën e tij. Eleminimi i çdo forme të pronës dhe ekonomisë private me kushtetutën e vitit 1976 ishte kufizimi i fundit edhe për pazarin e Roskovecit. Goditja fatale ishin masat drastike të vitit 1981, sic ishin masat për kolektivizimin e bagëtive dhe eleminimin e oborrit kooperativist. Kjo solli edhe mbylljen e pazarit të Roskovecit që vijoi për mëse një dekadë. Por në vitin 1991 me rënien e sistemit socialist tradita rilindi përsëri. Tashmë të çliruar nga kufizimet do të ishte përsëri inisiativa popullore që do të riniste përsëri pazarin e Roskovecit. ‘’Hapja dhe inisiativa e tregut të lirë,për shqiptarët në fillimet e demokracisë, s’kishte se si të mos rihapte një faqe të re edhe për pazarin e vjetèr 300 vjeçar’’, shkruan rreth tij publicist Flamur Çepele. Më pas ai në shkrimin e tij ‘’Pazari i Roskovecit, thekson se tashmë në këto 26 vite të rihapjes së tij ai organizohet të dielave në të dy akset kryesore të qytetit. Gjatë 4 orëvë të funksionimit të tij ushtrojnë aktivitetin e tyre shitës të artikujve industrial, çertexhinjtë, shitësit e fruta- perimeve, farishteve, fasules, tërshërës, produkteve të stinès. Këta shitës vijnë këtu nga nga zonat e Vlorës, Skraparit, Lushnjes, Fierit, Kuçoës e deri Dumresë (Flamur Çepele, Pazari i Roskovecit, ese). Ndërkohë që për pazarin e njohur do të shkruhet përsëri aq më tepër që bashkia e këtij Roskovecit me projektet e saj synon ta rivitalizojë atë. Gjithsesi ne do të shkruajmë përsëri rreth tij por këto ishin disa pjesë të shkëputura nga shkrime të ndryshme rreth historisë së tij.