Ballina Vendi Bashkëjetuesi rrahu dhe hodhi partneren nga kati i 3-të, në Polici tha...

Bashkëjetuesi rrahu dhe hodhi partneren nga kati i 3-të, në Polici tha se ra aksidentalisht!Policia zbardh ngjarjen

1

Një 62 vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet se disa ditë më parë ka hedhur nga ballkoni i katit të tretë bashkëjetuesen e tij. Dilaver Idrizi dhe bashkëjetuesja e tij kanë bërë kallëzim dhe janë shprehur shtetasja V.H ka rënë aksidentalisht.

Shërbimet e Policisë, nisur nga dyshimet e krijuara mbi kallëzimin e një shtetaseje, për rënien e saj nga ballkoni i banesës, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.  

Si rezultat i punës dhe veprimeve profesionale, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 11.03.2022. Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit:    

  • Dilaver Idrizi, 62 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” mbetur në tentativë.

Ky shtetas dyshohet se më datë 11.03.2022, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij dhe më pas e ka hedhur atë nga ballkoni i katit të tretë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.