Ballina Vendi U arrestua për vjedhje në Itali, Rrumbullaku përjashton nga Policia e Shtetit...

U arrestua për vjedhje në Itali, Rrumbullaku përjashton nga Policia e Shtetit efektivin e Lezhës

1

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka përjashtuar nga radhët e policisë efektivin e Lezhës, Klisman Nikollin, i cili u arrestua për vjedhje.

Klisman Nikolli, 27 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Postën e Policisë Shëngjin, në Komisariatin e Policisë Lezhë, ishte arrestuar nga organet ligjzbatuese italiane për “Vjedhje”.

Sipas Policisë së Shtetit, 27-vjeçari kishte marrë leje pa të drejtë page, nga data 01.11.2022 deri më datë 31.12.2022. Kjo leje i është miratuar nga eprori i tij, për dalje jashtë shtetit, pas kërkesës së bërë nga vetë punonjësi, për arsye shëndetësore.

Policia e Shtetit sqaron gjithashtu se pranimi i tij në radhët e policisë ishte bërë konform procedurave ligjore dhe se 27-vjeçari është djali i një dëshmori të Policisë.

Policia ka reaguar edhe ndaj deklaratave të opozitës se Policia e Shteti strehon policët kriminel duke thënë se kjo përbalt punën e efektivëve të ndershëm.

“Shprehim keqardhje për deklaratat dashakeqe që synojnë të përbaltin punën, mundin dhe sakrificën e mijëra djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, të Policisë së Shtetit, që punojnë 24/7 për të garantuar rendin e sigurinë, dhe që përballen e luftojnë çdo ditë, me krimin në përgjithësi dhe me krimin e organizuar në veçanti”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.

Klisman Nikolli u arrestuar për vjedhje, së bashku me dy shqiptarë të tjerë, Viktor Bilani, 30 vjeç, e Flor Koca 35 vjeç në Itali. Ata akuzohen për 18 vjedhje të kryera për nga data 30 tetor deri më 15 nëntor në dy rajone të Italisë, Veneto dhe Friuli.

/rtsh.al/