Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, në orët e para të mëngjesit, ku thotë se qeveria shqiptare bashkohet me NATO-n dhe aleatët e BE-së. Presidenti Ilir Meta e konsideroi sulmin e Rusisë si të pajustifikueshëm, teksa i bën thirrje të tërhiqet nga veprimet ushtarake ‘kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës’
Sulme me raketa dhe shpërthime në disa qytete ukrainase ndodhën mëngjesin e sotëm, pasi Vladimir Putin urdhëroi futjen e ushtrisë në Ukrainë. Nga sulmet raportohet edhe për viktima, ndërsa Shqipëria ka dënuar agresionin rus.
Me një postim në Twitter, kryeministri Edi Rama thekson se bashkohet me NATO-n dhe aleatët e BE-së dhe se Shqipëria është në krah të popullit të Ukrainës.
Ne bashkohemi me NATO dhe aleatët e BE në dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë. Mendimet tona janë me popullin ukrainas.’- shkruan Rama.
Presidenti Ilir Meta e konsideroi sulmin e Rusisë si të pajustifikueshëm, teksa i bën thirrje të tërhiqet nga veprimet ushtarake ‘kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës’.
Me një postim në Twitter ka reaguar edhe kryedemokrati Lulzim Basha i cili shkruan se sulmi i Rusisë është një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar. Ai i drejtoi një thirrje BE-s, NATO-s dhe OKB-s që të reagojnë me një përgjigje të shpejtë e të bashkuar.
Rusia sulmoi Ukrainën mëngjesin e sotëm, teksa Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një operacion ushtarak. Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se “pushtimi i Rusisë ka filluar”, me raporte për trupa që kalojnë kufirin nga drejtime të shumta dhe shpërthime në qytete të shumta, përfshirë kryeqytetin Kiev. Deri më tani raportohet për 7 viktima e 19 të zhdukur.