Ish nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj ka dëshmuar sot (15 janar) në seancën gjyqësore ndaj Emiliano Shullazit, Viktor Imerajt, Lulzim Berishës, Plaurent Dervishajt, Indrit Taullaut e Indrit Rusit për vrasjet e ndodhura në 2005 të Klodian Saliut dhe Vajdin Lames.
Në dëshminë e tij Kuliçaj tha se bashkëpunëtori i drejtësisë Luftar Reçi i kishte dërguar një letër, në të cilën përmendej dhe emri i Emiliano Shullazit në vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Spahiut.
Kuliçaj tha se për rastin u informua edhe Ina Rama, në atë kohë Prokurore e Përgjithshme.
“Në 2008 Luftar Reçi me është drejtuar me një letër ku fliste për disa ngjarje të rënda në Dibër si trafik armësh dhe vrasjesh në Tiranë dhe Durrës. Pas letrës kam marrë kontakt me të në burg bashkë me dy drejtorët Tonin Vocaj dhe Arjan Kurti. Nuk e kam intervistuar unë, sepse se kisha detyre funksionale. Për rastin u informua edhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama dhe çështja u kalua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda”, tha Kuliçaj.
Gazetari i RTSH, Kreshnik Mersinllari bën me dije se Kuliçaj është pyetur edhe nga i pandehuri Emiljano Shullazi nëse përmendej emri e tij në letrën e Luftar Reçit në lidhje me vrasjen e Vajdin Lamaj, ku ish nëndrejtori i Policisë u përgjigj “Po, përmendej”.
Gjatë seancës ka pasur tensione edhe lidhur me ekspertizën mjeko-ligjore të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi.
Avokatët e të pandehurve, duke iu referuar një akt ekspertimi të 2013, thonë se bashkëpunëtori i drejtësisë Luftar Reçi “rezulton depresiv dhe jo i besueshëm”. Ndërsa sipas një ekzaminimi tjetër mjeko- ligjor të vitit 2022, ekspertet përcaktuan se Luftar Reçi është “i përgjegjshëm për ato çfarë ka deklaruar”.
Pikërisht në seancën e sotme kanë dëshmuar edhe dy ekspertet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, që kanë ekzaminuar gjendjen e Reçit me kërkesë dhe vendim të SPAK duke pasur debate të forta.
Pjesë nga debati në sallën e gjyqit:
Viktor Imeraj: Zonjat s’mbakan mend, mos vuani nga skleroza, na thoni t’ju japim ilaçe? (Pasi iu tërhoq vëmendje, Imeraj u gjobit me 5 mijë lekë).
Emiljano Shullazi-ekspertëve mjeko-ligjorë: Si ka mundësi ju për 50 minuta intervistë, dolët në konkluzione për të, kurse ne këtu 4 orë kur u ballafaquam, s’arritëm ta kuptojmë?”
Indrit Rusi pyeti njërën prej mjekeve: A keni punuar në vitin 2016 në paraburgimin e Durrësit?
Mjekia: Po
Indrit Rusi: Më mbani mend, se unë kisha një infeksion në dhëmballë, ti më thoje ke keq bajamet.
Pas debateve avokatët e të pandehurve kërkuan një ekspertizë të re me pedagogë të psikologjisë, profesorë psikiatër, madje edhe me ekspertë të huaj për të vlerësuar gjendjen mendore të Luftar Reçit.
Avokatët po ashtu pretenduan se ekspertiza për Luftar Reçin nga Instituti Mjeko-Ligjor, është kryer nën presionin e SPAK dhe se mjekët kanë qenë në dijeni që ai ishte bashkëpunëtor i drejtësisë.
I penduari i drejtësisë Luftar Reci ka vendosur të zbërthejë grupet kriminale që planifikuan vrasjen në 2005 të Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe Artan Arsit, ku në dëshminë e tij implikon emra të njohur të botës së krimit.
/rtsh.al/