Ballina Vendi Presidenti i Ukraines thirrje ne rusisht Putinit, te ndal pergjakjen dhe vdekjet...

Presidenti i Ukraines thirrje ne rusisht Putinit, te ndal pergjakjen dhe vdekjet e qytetareve te pafajshem

2

Në ditën e dytë të sulmit, duket se Rusia dhe Ukraina po shkojnë drejt një tryeze bisedimesh konkrete për ndalim të luftës.

Pushtimi rus i Ukrainës po merr përmasa gjithnjë e më tragjike. Në ditën e dytë të bombardimeve, raportohet se forcat ruse janë futur tashmë në kryeqytet, Kiev, teksa forcat ukrainase po luftojnë për të rezistuar, ndërsa autoritetet i kanë bërë thirrje qytetarëve që të armatosen për t’u mbrojtur.  

Presidenti i Ukrainës ka qenë i qartë në kërkesën e tij për Putinin, teksa në rusisht i ka bërë thirrje për bisedime që të ndalen vdekjet e qytetarëve të pafajshëm. Thirrje për dialogu Putinit ia ka bërë edhe homologu kinez gjatë një bisede telefonike pak minuta më parë.

Ndërkohë që në terren luftime vazhdojnë. E teksa bombardime ruse kanë shkaktuar jo pak viktima, Ministri i Jashtëm Rus habit teksa deklaron se Rusia nuk po e pushton Ukrainën dhe as ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë. Në një konferencë për mediat, Sergei Lavrov u shpreh se: “askush nuk po planifikon të pushtojë Ukrainën”. I pyetur nëse ishte dëshira e Rusisë për të rrëzuar një vend demokratik, Lavrov nënkuptoi se vendi nuk mund të quhet demokratik.

Ndërkohë Presidenti ukrainas Vlodymyr Zelensky në një konferencë për shtyp bëri me dije se janë vrarë 800 ushtarë rusë. Pas deklaratës së Presidentit amerikan një ditë më parë, Joe Biden, i cili tha se nuk do të futen ushtarakisht në Ukrainë, Zelensky u shpreh se ata janë lënë vetëm, teksa përsëriti thirrjen ndaj Perëndimit për bërë më shumë se sa thjeshtë vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë.

Ukraina dëshiron paqe dhe është e gatshme për bisedime me Rusinë, duke përfshirë statusin neutral në lidhje me NATO-n.  Kështu i ka thënë Reutersit këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak.

Daily Mail, duke iu referuar Inteligjencës amerikane, shkruan se 10,000 parashutistë rusë dyshohet se do të zbarkojnë në një prej aeroporteve të Ukrainës, për të zbatuar në terren më pas planin që është kapja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe qeverinë e tij.

SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione të renda ekonomike ndaj Rusisë duke vënë në shënjestër bankat e mëdha ruse që mbajnë afro 80% të të gjitha aktiveve bankare të vendit. BE ka lajmëruar se do të ngrijnë pasuritë ruse në BE dhe do të ndalojmë qasjen e bankave ruse në tregun financiar evropian, me qëllimin për të dobësuar ekonominë ruse.

Ndërkohë NATO do të mbajë sot një konferencë të jashtëzakonshme, për të diskutuar mbi masat që do të marrin. Edhe njëherë NATO ka theksuar se nuk do të fusin trupa në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë, por masat kanë të bëjnë me mbrojtjen e kombeve aleate të NATO-s gjatë kësaj krize.

Pamjet që vijnë nga Ukraina janë tragjike, me njerëz të gjakosur, teksa vendi ndodhet i ‘pushtuar’ nga tymi dhe flaka. Shumë qytetarë janë strehuar nëpër stacionet e metrove, në përpjekje për t’i shpëtuar bombardimeve.