Përcaktohet zyrtarisht numri i punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2023, në njësitë e qeverisjes qëndrore. Qeveria, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, sapo ka publikuar një vendim, i cili zbardhet nga rtsh.al, për përcaktimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2023, për njësitë e qeverisjes qendrore, ku pagesa për emërtesën “Punonjës arkivi (DPA)”, kryhet nga institucionet përkatëse, pas miratimit të listëprezencës dhe shënimeve përkatëse të titullarit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Punonjësit me kontratë në funksionin “Specialist”, do të paguhen në përputhje me kategorinë e pagës së funksionit të ngjashëm organik, të përcaktuar në strukturën e institucionit, por, në asnjë rast, kategoria e pagës së tyre në institucionet e pavarura dhe aparatet e ministrive nuk kalon nivelin IV-a dhe në institucionet në varësi të institucioneve qendrore, nivelin IV-b.
Punonjësit me kontratë në funksionin “Operator EDRMS”, do të paguhen, në përputhje me kategorinë e pagës së funksionit “Operator”, sipas vendimit “Për pagat e punonjësve mbështetës dhe punonjësve të tjerë të specialiteteve të ndryshme në disa institucione të administratës publike”.
Përjashtimisht, për punonjësit me kontratë në funksionin “Specialist”, në Kryeministri, kohëzgjatja e punës është 8 orë përgjatë gjithë vitit buxhetor dhe niveli i pagës për këta punonjës është kategoria III-b.
Mbulimi i efekteve financiare për punonjësit me kontratë bëhet nga shpenzimet korrente, të miratuara në buxhetin përkatës të njësive të qeverisjes qendrore.
Për punonjësit me kontratë të Shtëpisë së Pushimit Durrës (MB), Shtëpisë së Pushimit të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, efektet financiare përballohen nga të ardhurat e vetë institucionit.
Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi fillojnë pas hyrjes në fuqi të tij. Për punonjësit, të cilët kanë lidhur kontratë në vitin paraardhës, puna e të cilëve nuk është ndërprerë dhe për të cilët është bërë regjistrimi në sistemin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, efektet financiare fillojnë më 1 janar 2023.
Ngarkohen ministritë dhe institucionet, të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë detajimin e numrit të punonjësve me kontratë, kategorinë përkatëse të pagës dhe burimin e financimit të tyre. /rtsh.al/ /a.meta/