Ballina Vendi Kapet me 80 kg drogë në kamionçinë, arrestohet 45-vjeçari në Qafë Botë

Kapet me 80 kg drogë në kamionçinë, arrestohet 45-vjeçari në Qafë Botë

2

Një 45-vjeçar i identifikuar si Aleksandër Azizaj, ka rënë në prangat e policisë kufitare në Qafë Botë. Azizaj u kap duke transportuar 80 kilogramë kanabis, të ndarë në 74 pako.

Droga mësohet se do të dërgohej drejt Greqisë, ndërsa 45-vjeçari i kishte fshehur ato në kamionçinë.

Njoftimi i Policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Border”. Operacioni nga Policia Kufitare e Qafë Botës, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë dhe autoritetet doganore të Qafë Botës. Tentoi të trafikonte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike cannabis sativa, drejt Greqisë, vihet në pranga 45-vjeçari nga Fieri. Sekuestrohen 80 kilogramë kanabis dhe një automjet (kamionçinë). 

Në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike drejt Greqisë, shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Botës, bazuar në analizën e riskut dhe informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas mund të transportonte një sasi të madhe lënde narkotike drejt Greqisë, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, automjetin tip kamionçinë që drejtohej nga shtetasi  A. A., 45 vjeç, banues në Fier.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm dhe të përbashkët të strukturave që operojnë në pikën e kalimit kufitar Qafë Botë, u bë e mundur që në brendësi të kamionçinës të gjendeshin të fshehura 74 pako me lëndë narkotike kanabis (me peshë 80 kilogramë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin tip kamionçinë. 

Drejtuesi i automjetit, shtetasi A. A. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve është bërë arrestimi në flagrancë i tij, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, vijon puna hetimore për  identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.