Ballina Lajme Fieri kërkon punëtorë nga Azia/ Dhoma e Tregtisë: Kemi mungesa të mëdha...

Fieri kërkon punëtorë nga Azia/ Dhoma e Tregtisë: Kemi mungesa të mëdha punonjësish

1

Fieri si shumë qytete të vendit po vuan nga mungesa e punonjësve. Dhoma e tregtisë atje thotë se të gjithë sektorët kanë mangësi në stafe. Në këto kushte edhe bizneset atje kanë kthyer sytë nga punonjësit e huaj, kryesisht aziatikë të cilët tanimë janë sistemuar në punë.

Largimi i fuqisë punëtore në Fier, po redukton jo vetëm fuqinë blerëse por po tkurr çdo ditë dhe më shumë, aktivitetin e shumë bizneseve prodhuese dhe tregëtuese.

Kreu i Dhomës së Tregëtisë Fier, Shezai Çobo është shprehur se biznesi atje po sheh mungesa të mëdha në fuqinë punëtore, si specialistë por edhe krah pune.

“Të gjitha bizneset e qarkut Fier i kanë këto vështirësi, si e gjithë Shqipëria. Njerëzit janë larguar dhe nuk ka fuqi punëtore për të plotësuar nevojat e biznesit. Po të kalosh sot në çdo dyqan, kërkojnë banakier, kamarier, guzhinier, inxhinier IT. Kërkojnë nga të gjitha fushat, sepse truri shqiptar po largohet, infermier, “ tha ai.

Të gjendur në këto kushte edhe në Fier bizneset i kanë kthyer sytë nga vendet aziatike.

Janë mbi 200 punonjës nga vendet aziatike që kanë lidhur kontratat këtë vit me bizneset në Fier si në agrikulturë por edhe ne sektorë të tjerë.

“Ne si biznesmen,e para duhet të rregullohen kushtet dhe të rrisin rrogat, e dyta duhet të presin emigrantë nga vendet e Azisë, të jenë të kualifikuar për të përballuar nevojat që kanë këto biznese. Kanë ardhur nga Azia rreth 200 punëtor por për tu larguar janë larguar 500 persona,” tha ai.

Rritja e pagave të punonjësve vendas, kushtet e punës dhe programet, dhe politikat e qeverisë, shihen nga ekspertët si masa që duhen marrë menjëherë për të ruajtur fuqinë aktuale punëtore.