Ballina Rajoni Dogji makinat në Zubin Patok, arrestohet një serb në Kosovë. Lisat Serbe:...

Dogji makinat në Zubin Patok, arrestohet një serb në Kosovë. Lisat Serbe: Lirojeni ose do ketë reagime

1

Një 36-vjeçar i komunitetit serb në veri të Kosovës është arrestuar nga autoritetet pasi akuzohet për djegien e një disa makinave në Zubin Patok dhe për përfshirje në sulm ndaj policisë së Kosovës.

Shtetasi serb M. B. akuzohet për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njësisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policor kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit. Ai akuzohet edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës, të ndodhura gjatë ditëve të fundit

Sipas policisë së Kosovës, “shtetasi serb do të përballet me veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Arrestimi i tij ka nxitur dhe reagimin e ashpër të Listës Serbe në Kosovë, ku paralajmërojnë protesta nëse ai nuk lirohet.

Lista Serbë e cilëson arrestimin e shtetasit serb si “rrëmbim” dhe si “represion të Kurtit ndaj qytetarëve të pafajshëm”.

“Pas mbledhjes së informacioneve për rrëmbimin e sotëm të serbëve nga forcat speciale të Kurtit, theksojmë se populli serb po paralajmëron Prishtinën që nëse nuk e liron të arrestuarin padrejtësisht që u rrëmbye sot nga njësitet e Kurtit në veri të Kosovës dhe mos ndaloni së ngacmuari popullin serb se do të provokojë reagimin e të gjithë serbëve.

Për të sqaruar, nuk do të jetë një paralajmërim, por një kryengritje e përgjithshme për të ndaluar represionin e Albin Kurtit ndaj qytetarëve të pafajshëm”, shkruan Lista Serbe.

Nga ana tjetër ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla i cilësoi këto krime si të “dirigjuara nga Beogradi” që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Ministri paralajmëroi se të gjithë personat që janë të përfshirë në sulmet ndaj policisë së Kosovës dhe djegies së makinave do të sillen para drejtësisë.

“Djegia e veturave të qytetarëve tanë në veri e orkestruar nga Beogradi me qëllim të shkaktimit të frikës tek qytetarët tjerë është pa dyshim akt i rëndë kriminal. Siç edhe kemi thënë sa herë kanë ndodhur akte të tilla, njësitet relevante policore kanë qenë të angazhuara në identifikimin e kriminelëve që kanë kryer akte të tilla.

Njëri nga ta sot është arrestuar dhe i cili përveç që ka qenë i përfshirë në djegien e veturave në veri, si pjesë aktive e strukturës kriminale të të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”, më parë ai kishte sulmuar me armë Policinë e Kosovës duke i plagosur dy zyrtarë të saj.

Po ashtu organet e sigurisë kanë dëshmi për përfshirjen e tij në sulme ndaj infrastrukturës kritike të republikës.

Në kuptim të kësaj, shtetasi serb i arrestuar sot akuzohet për “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Secili që si individ apo si pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi ka kryer çdo lloj akti kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë”, shkruan ministri.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të pranishëm gjatë muajve të fundit, ku rastet e djegies së makinave dhe sulmet ndaj policisë së Kosovës kanë qenë të shumta.

/rtsh.al/