Kryeministri Edi Rama ka vijuar turin e falënderimeve në Lezhë për rezultatin fitues që PS mori në këtë zonë si për kryetarin e bashkisë dhe këshillit bashkiak.
Fokusin Rama e vuri te shërbimi ndaj qytetarëve ose “njerzillëku”. Duke cituar shprehjen popullore “Hallin që s’ma zgjidh, të paktën ma qaj”, Rama tha se nuk është e mundur që të zgjidhen të gjitha kërkesat, por qytetarët duhen pritur dhe sqaruar në çdo rast.
Edhe zhvillimi i turizmit do të jetë në fokus të qeverisë, tha Rama, pasi Lezha turistike “luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit tonë”.
Vota që qytetarët i besuan PS, për Ramën duhet të përkthehet në shumë punë që të përmbushen pritshmëritë e tyre.
“Ky ishte një rezultat i jashtëzakonshëm, faleminderit qytetarëve që i dhanë votën Pjerinit dhe Majlindës, jam I prekur nga kjo mbështetje që kemi marrë.
Ajo që unë besoj dhe është gjëja më e rëndësishme që ne duhet të kuptojmë që të gjithë fituesit duhet të kuptojnë me çdo kusht se njerëzit që kanë një pritshmëri shumë të lartë, kjo ka të mirën e vet se të jep votat, por ka edhe hallin nga pas se duhet të shlyhet me rezultatet që i përgjigjen pritshmërive.
E vërteta është se askush, në asnjë familje apo shtet nuk ekziston një situatë ku të jetë e mundur që çdo dëshirë të realizohet, gjithmonë kërkesat dhe nevojat janë më shumë se sa mundësitë, edhe për SHBA edhe për Shqipërinë, për të gjithë. Nuk do të jetë e mundur që të gjitha pritshmëritë të realizohen, pro një gjë është e mundur me siguri, në këtë pikë ne kemi shumë deficit dhe borxhe në të gjitha nivelet. Dhe kjo është ajo që populli unë thotë “hallin që s’ma zgjidh, të paktën ma qaj”.
Nevoja e njerëzve për t’u dëgjuar kur kanë një problem duhet përmbushur me çdo kusht. Kërkesat e tyre duhen respektuar dhe shpjeguar kur nuk është e mundur të plotësohen.
Prioritet i prioriteteve duhet të jetë njerzillëku, i kryetarëve, i nënkryetareve, i këshilltarëve dhe i gjithë atyre që janë në kontakt me qytetarët.”, tha Rama.
Më herët, Rama u ndal edhe në një takim me grupin e këshilltarëve socialistë të zgjedhur më 14 maj në Bashkinë Lezhë. Rama tha se bashkia Lezhë ishte një nga bashkitë e vështira për t’u fituar, por që realiteti tregoi se vitorja ishte edhe me një diferencë të madhe votash.
Kryeministri tha se në këtë bashki, qeveria ka bërë gjithçka ka mundur dhe jo gjithçka ka dashur, por shtoi se njerëzit vlerësuan punën.
“Për hir të vërtetës ka qenë një nga ato betejat e vështira dhe ka qenë një nga ato 11 betejat e hapura që deri në fund unë e kisha me merak. Ju e dini shumë mirë që kjo është një zonë aspak e lehtë, është shumë e vështirë për ne.
Këtu kemi bërë gjithçka kemi mundur, jo gjithçka qe kemi dashur. Po të kishim mundur më shumë do e kishim bërë dhe më mbante besimi se njerëzit do e vlerësonin atë që kishim bërë. Dhe për hir të vërtetës ndodhi dhe kaloi edhe parashikimet se mendoja që rezultati do ishte shumë i ngushtë.
Këtu kemi një nga degët më të organizuara të SP dhe kjo ka shpërblyer punën, nuk mjafton vetëm njerëzit që të thonë mirë, por duhet t’i nxjerrim në votim dhe kjo është një punë më vete”, tha Rama.
Fitues në zgjedhjet vendore të 14 majit për Bashkinë Lezhë u shpall Pjerin Ndreu i PS me 18299 vota, i cili garonte më kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Pashk Gjoni, i cili mori 16376 vota. Edhe Këshillin Bashkiak të Lezhës e kryesoi PS me 9 mandate.
Pjerin Ndreu tha para qytetarëve se ky është një rezultat historik dhe se kjo u bë falë punës që është bërë për qytetarët dhe investimet në qytet.
“Lezha nuk mund të jetë e matrapazëve politik”, tha Ndreu.
Edhe në bashkinë Kurbin, fitues u shpall Majlinda Cara e PS me 11390 vota, kundrejt kundërshtarit të “Bashkë Fitojmë” Behar Haxhiu, i cili mori 10845 vota.
Gjatë falënderimeve edhe kryebashkiakja Majlinda Cara falënderoi qytetarët, ndërsa tha se edhe më shumë do të bëhet për qytetin dhe shërbime për qytetarët.
/rtsh.al/