Ballina Lajme Tiranë/ Shantazhonte bizneset me 1 mln lekë gjobë dhe u merrte ryshfete,...

Tiranë/ Shantazhonte bizneset me 1 mln lekë gjobë dhe u merrte ryshfete, arrestohet inspektori i ISHSH

0

Një inspektor pranë Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor është arrestuar, pasi akuzohet për korrupsion pasiv.

Inspektori shantazhonte bizneset në Tiranë me gjobë deri në 1 milionë lekë dhe mbyllje të aktiviteteve të tyre nëse nuk paguan si ryshfet gjysmën e vlerës së gjobës tek ai brenda 24 orëve.

 “Inspektori M.M. pranë Inspektoriatit të Shëndetësisë, shkonte për kontroll në subjekte të ndryshme, tregtarë në qytetin e Tiranës, tek të cilët ushtronte presion se nuk kishin licensimin e duhur për vijimin e aktivitetit, dhe se gjoba në këto raste shkonte deri në 1.000.000 (një milion) lekë, si dhe me mbylljen e biznesit deri në likuidimin e kësaj mase administrative.

Ky inspektor u thoshte subjekteve tregtarë se një problem i tillë mund të zgjidhej kundrejt përfitimit të parregullt, vetëm pas marrjes prej tij të gjysmës së shumës së gjobës që vihet në raste të tilla, e më konkretisht të shumës monetare prej 500.000 (pesëqind mije) lekë, por një pjesë e kësaj shume monetare duhej të paguhej brenda 24 orëve; përndryshe do vijohej me procedurat administrative të aplikimit të gjobës dhe mbylljes së aktivitetit deri në likujdimin e masës administrative”, thuhet nw njoftimin e SPAK.

Hetimet për ngjarjen u kryen nga BKH, ndërsa inspektori do të përballet me veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Gjithashtu gjatë arrestimit të tij, iu sekuestrua dhe shuma monetare prej 200.000 lekësh, e përftuar në mënyrë të paligjshme përmes shantazheve.

/rtsh.al/