Një grup prej pesë personash, pjesë e një organizate kriminale e përfshirë në shitjen e kokainës, është shpërbërë pasi pjesëtarët e tij janë arrestuar nga autoritetet greke. Mësohet se grupi drejtohej nga një shtetas shqiptar, i cili kishte si detyrë edhe gjetjen e klientëve.
Operacioni për arrestimin e tyre është bërë javën e kaluar nga Departamenti i Prokurorisë në Patra, ndërsa personat akuzohen se trafikonin drogën në Achaia dhe Attiki.
Nuk dihet ende burimi ku drejtuesi shqiptar siguronte drogën, por janë zbuluar banesat në Pire ku fshihej kokaina. Megjithatë, për të mbuluar gjurmët, anëtarët e organizatës kriminale përdorën një kafene në Neo Faliro që i përkiste një të afërmi të drejtuesit.
‘E çuditshmja e kësaj kafeneje është se drejtuesi shfaqet si përgjegjës dhe anëtarët e tjerë si punonjës apo klientë. Siç mësohet, dërgesat e drogës kryheshin aty, ndërsa kishin në posedim edhe një “telefon shërbimi” që e përdornin për të komunikuar me klientët. Paratë i merrte gjithmonë drejtuesi i cili informohej me çdo detaj se si shkonte trafiku i drogës. Ata kishin në dispozicion edhe automjete që përdoreshin edhe për të fshehur drogën’, thuhet në dosjen hetimore, sipas mediave greke.
Gjithashtu raportohet se anëtarët e grupit të drogës përdornin kode, me qëllim për të mos u zbuluar nga autoritetet.
Çmimi i shitjes për një gram ka qenë 50 euro ndërsa gjysmë grami është shitur për 30 euro. Klientëve “të mirë” u është bërë edhe zbritje në çmim, ndërsa ata që nuk paguanin nuk merrnin derisa të paguanin ose të shlyenin borxhin.
Klientela e tyre ishte e mjaftueshme dhe vetëm brenda pak ditësh nga data 8 deri më 23 maj kishin arkëtuar 5850 euro nga shitja e kokainës dhe kanabisit.