Ballina Lajme Ekonomi Shfuqizohet Bordi i Transparencës për karburantet

Shfuqizohet Bordi i Transparencës për karburantet

1

Bordi i Transparencës për çmimet e karburanteve, i krijuar në marsin e vitit të kaluar, është shfuqizuar këtë të mërkurë, me vendim të qeverisë.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, njoftoi se përfundimin e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve në Shqipëri.

“Me fillimin e krizës ngritëm një bord të transparencës për kontrollin e çmimeve. Që prej asaj kohe çmimet kanë pasur luhatje të mëdha. Ne vendosëm të përcaktojmë disa marzhe fitimi me qëllim limitimin të efektit të spekulimeve të hidrokarbureve dhe të limitonim abuzimet. Bazuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese  që e la në fuqi, ne vendosëm, për shfuqizimin e bordit të hidrokarbureve dhe situatës së veçantë në këtë treg”, tha Ibrahimaj.

Bordi i Transparencës u krijua në mars të vitit 2022, pas nisjes së luftës në Ukrainë, që shkaktoi rritje të menjëhershme të çmimit të naftës. Çmimet që ka vendosur Bordi janë diskutuar shpesh. Opozita dhe madje ekspertët, i kanë cilësuar abuzive disa vendime, ku çmimet në vendin tonë nuk përputheshin me ato në bursa.

Ndërkohë, katër muaj më parë, Gjykata Kushtetuese me kërkesë të grupit parlamentar të PD-së, shfuqizoi një nen të ligjit, sipas së cilit Bordi i Karburanteve nuk mund të shkrijë vetveten.

 

Top Channel