Ballina Lajme Publikohen akuzat, Trump përballet me 37 padi penale, sekretet bërthamore të SHBA-ve...

Publikohen akuzat, Trump përballet me 37 padi penale, sekretet bërthamore të SHBA-ve të ruajtura në banjë

0

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përballet me 37 akuza penale, ku bien në sy ato për mbajtje të paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara, si dhe konspiracion për të penguar drejtësinë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021. Këto u bënë të ditura sipas dokumenteve të gjykatës federale të bëra publike të premten.

Departamenti i Drejtësisë, tashmë ka bërë publike dokumentet e aktpadisë, në të njëjtën ditë kur dy nga avokatët e Trump dhanë dorëheqjen. Nga ana tjetër edhe një ish- ndihmës i Trump përballet me akuza.

Sipas aktakuzës, mes dokumenteve ishin disa nga sekretet më të ndjeshme ushtarake amerikane, përfshirë informacion mbi programin bërthamor të SHBA-së dhe pikat e dobëta të mundshme brenda vendit në rast të një sulmi.

Një nga dokumentet fliste për mbështetjen e terrorizmit nga një vend i huaj kundër interesave të SHBA-së.

“Materialet vinin nga Pentagoni, CIA, Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe agjenci të tjera të zbulimit”,- thuhet në aktakuzë, ku nënvizohet se Trump i tregoi një personi tjetër një dokument të Departamentit të Mbrojtjes të cilësuar si një “plan sulmi” kundër një vendi tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Trump kishte ndarë me persona të tjerë një hartë të klasifikuar në lidhje me një operacion ushtarak.

Sekretet bërthamore

Çelësi i akuzave të ngritura kundër Trump është fakti se ruajtja e dokumenteve tepër sekrete mund të kishte vënë në rrezik sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Dokumentet e klasifikuara të sekuestruara nga FBI në Mar-a-Lago, përmbanin informacione, në lidhje me programin bërthamor të Shteteve të Bashkuara, aftësitë e armëve të SHBA-së dhe fuqive të tjera të huaja, si dhe “vulnerabilitetet e mundshme të SHBA-së dhe aleatëve të saj ndaj sulmeve ushtarake”.

Aktakuza pretendon se dokumente të tilla u ruajtën për më shumë se një vit në një klub social në Florida, i cili përbëhet nga qindra anëtarë dhe ka 150 persona staf. Dokumentet u ruajtën, në periudha të ndryshme, në një sallë vallëzimi, në banjë, në zyrë dhe në një dhomë gjumi në Palm Beach.

Aktakuza e akuzon Trump se u ka treguar “dokumentet e klasifikuara të tjerëve” në dy raste.

Hera e parë ishte në Klubin Kombëtar të Golfit Trump në Bedminster, New Jersey, “gjatë një takimi të regjistruar audio me një shkrimtar, një botues dhe dy anëtarë të stafit të tij”.

“Asnjë nga këta persona nuk kishte leje sigurie“,- shton aktakuza.

Trump tregoi dhe përshkroi një “plan sulmi” që ai tha se ishte “përgatitur për të nga Departamenti i Mbrojtjes dhe një zyrtar i lartë ushtarak”.

Trump më pas u tha individëve se plani ishte “shumë konfidencial”, “sekret” dhe shtoi gjithashtu se “si president mund ta kisha deklasifikuar”.

“Tani nuk mundem, e dini, por kjo është ende sekret”, thuhet në aktakuzë të Trump.

Trump përballet me 31 akuza sipas Aktit të Spiunazhit

Mbi Trump rëndojnë 31 akuza për mbajtje të qëllimshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare sipas Aktit të Spiunazhit.

Spiunazhi ka konotacione të këqija, pasi është një lloj akuze që është përdorur në të kaluarën për të ndjekur penalisht individë që kanë qenë të pakujdesshëm kriminalisht me dokumente të rëndësishme qeveritare.

Cilat janë akuzat?

 Trump po përballet me dhjetëra akuza penale, siç parashtrohet në aktakuzën e lëshuar pak çaste më parë. Ja cilat janë ato:

  • 31 akuza për mbajtje të qëllimshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare
  • Një akuzë për komplot për të penguar drejtësinë
  • Një akuzë për mbajtjen në burim të një dokumenti ose regjistrimi
  • Një akuzë për fshehje të një dokumenti ose regjistrimi
  • Një akuzë për fshehjen e një dokumenti në një hetim federal
  • Një akuzë për skemën për ta fshehur
  • Një akuzë për deklarata të rreme

Trump po akuzohet në këtë rast së bashku me ndihmësin e tij personal Walt Nauta. Disa nga akuzat janë kundër Trump dhe Nautës, ndërsa vetëm një është kundër Nautës.

Akuzat kundër ndihmësit të Trump:

  • Komplot për të penguar drejtësinë
  • Mbajtja e një dokumenti ose regjistrimi
  • Fshehja e korruptuar e një dokumenti ose regjistrimi
  • Fshehja e një dokumenti në një hetim federal
  • Skema për të fshehur
  • Deklarata të rreme

BBC

/rtsh.al/