Policia e Shtetit ka vijuar operacionin policor të koduar “Fijet”, dhe gjatë 24 orëve të fundit ka çmontuar dhe sekuestruar dhjetëra kamera të tjera që ishin vendosur në kundërshtim me ligjin, në disa qarqe të vendit.Gjithashtu kanë nisur hetime të thelluara për disa shtetas, për veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”.Konkretisht, në qarkun Shkodër, në vijim të fazës së dytë, Policia ka çmontuar 20 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin. Deri tani, në këtë qark janë sekuestruar në total 79 kamera.
Në qarkun Lezhë, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 9 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin, në Mirditë dhe në Zejmen, Lezhë. Për 4 kamerat e instaluara në Zejmen, Lezhë, është vënë nën hetim 1 shtetase.Në qarkun Dibër, në qytetin e Peshkopisë, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 5 kamera, ndërsa në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private janë vënë 3 persona. Deri tani, në këtë qark, janë çmontuar dhe sekuestruar në total 6 kamera dhe janë iniciuar hetime të thelluara për 4 shtetas.Vijon puna hetimore, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit të kamerave të vendosura në kundërshtim me ligjin.