Ballina Bota Papa mbron vendimin për çiftet e të njëjtës gjini: Zoti i bekon...

    Papa mbron vendimin për çiftet e të njëjtës gjini: Zoti i bekon të gjithë

    4

    Papa Françesku ka mbrojtur vendimin e tij historik për shpalljen, përmes një deklarate, të dhënies së bekimeve për çiftet e së njëjtës gjini, duke sugjeruar se anëtarët e kishës katolike që i rezistuan këtij vendimi dolën në përfundime të shëmtuara sepse ata nuk e kuptojnë atë.

    Në një intervistë televizive, Papa Françesku bëri komentet e tij të para publike që nga deklarata e 18 dhjetorit që ndezi një debat të gjerë në Kishë, me peshkopët në disa vende, veçanërisht në Afrikë, që refuzuan t’i linin priftërinjtë e tyre ta zbatonin atë.

    “Ndonjëherë vendimet nuk pranohen, por në shumicën e rasteve kur vendimet nuk pranohen, kjo ndodh sepse ato nuk kuptohen”, tha Françesku në përgjigje të një pyetjeje specifike për deklaratën e dhjetorit. “Rreziku është se nëse diçka nuk më pëlqen, i bëj rezistencë dhe dal në përfundime të shëmtuara”, tha ai gjatë një lidhjeje nga rezidenca e tij në Vatikan.

    Vatikani është munduar të sqarojë se bekimet nuk përbënin një miratim të seksit homoseksual dhe nuk duhet parë si diçka e barabartë me sakramentin e martesës për çiftet heteroseksuale.

    Sipas Papës, Zoti bekon këdo dhe njerëzit duhet të hyjnë në një dialog me bekimin e Zotit dhe të shohin rrugën që ai iu propozon.

    “Zoti i bekon të gjithë. Por atëherë njerëzit duhet të hyjnë në një dialog me bekimin e Zotit dhe të shohin rrugën që Zoti propozon.  Duhet t’i marrim ata për dore dhe t’i udhëheqim në atë rrugë dhe jo t’i dënojmë që në fillim”.

    Që nga zgjedhja e tij në 2013, Papa Françesku është përpjekur ta bëjë Kishën, me 1.35 miliardë anëtarët e saj, më mikpritëse për njerëzit LGBT, pa ndryshuar doktrinën morale.

    /rtsh.al/