Ballina Lajme Në pranga për shpërdorim detyre/ Vangjush Dako në GJKKO, njihet sot me...

Në pranga për shpërdorim detyre/ Vangjush Dako në GJKKO, njihet sot me masën e sigurisë

1

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ku do të dalë para kësaj gjykate në orën 10:00.

Në këtë seancë Dako do të njihet me masën e sigurisë ndërsa aktualisht po mbahet në Bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza”.

Vangjush Dako dhe ish-zyrtarë të tjerë në bashkinë e Durrësit akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në dy raste, ku bëhet fjalë për një pallat që u nis për t’u ndërtuar me 7 kate në 2010 dhe përfundoi 11 kate në vitin 2014, ndërsa u dëmtua nga tërmeti  i nëntorit të 2019-s.

Për këtë rast akuzohen Vangjush Dako, Drejtori i Drejtorisë së Kontrollit dhe Planifikimit të Territorit Adhurim Qehajaj, arkitekti Ermal Lama, projektuesja Meri Semini topografët Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku.

Sa i përket rastit tjetër për të cilin akuzohet data ka të bëjë me tenderin e datës 25 mars të vitit 2014 për një shërbim konsulence dhe sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.

Për këtë akuzohen Vangjush Dako dhe grupi punës i përbërë nga, Adhurim Qehajaj, Diana Dedja, Adnan Toçila, anëtarë të cilët kanë patur si detyrë, përcaktimin e termave të referencës dhe fondin limit.

Sipas SPAK grupi i ngritur nga Dako për vlerësimin e projektit kanë nxjerrë në mënyrë të qëllimshme një vlerë shumë herë më të lartë se sa vlera reale e përcaktuar edhe me VKM

Në funksion të kësaj, Kryetari i Bashkisë Durrës V.D. ka ngritur një grup pune i përbërë nga shtetasit A.Q., A.T. D.D. dhe B.S. anëtarët e të cilit kanë patur si detyrë, përcaktimin e termave të referencës dhe fondin limit, bazuar në V.K.M. Nr.444 datë 05 Shtator 1994.

Në fakt, për shkak të disa gabimeve në llogaritje tarifa e studimit dhe vlera e fondit limit, është llogaritur dhjetë herë më e lartë se sa duhet të ishte, sipas kritereve të Vendimit të Këshillit të Ministrave”, shkruhet më tej në dosjen e SPAK.

/rtsh.al/