KOSOVË- Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Pejë, ku nënë e bir humbën jetën si pasojë e përmbytjeve. Në emër të Qeverisë, kryeministri ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave të cilët janë identifikuar si Mirsada Ademaj dhe Dion Ademaj. Kurti njofton se autoritetet po marrin masa dhe janë në kontakt për të monitoruar situatën e përmbytjeve dhe për të shmangur raste të tjera tragjike.
Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetëve të dy qytetarëve tanë, Dion Ademaj dhe Mirsada Ademaj, nga vërshimet e mbrëmshme në Pejë. Kjo humbje e madhe për familjet Ademaj dhe Hoxhiq është humbje e madhe për vendin tonë. Në këto ditë të rënda, dhembjen e ndajmë bashkë me familjarët dhe miqtë e tyre. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë. Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmojë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë në komunikim me Komunën e Pejës për të koordinuar veprimet në ofrim të mbështetjes së nevojshme.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi ka reaguar lidhur me situatën alarmante të përmbytjeve në komunë ku mbrëmjen e djeshme dy persona, nënë e bir humbën jetën tragjikisht, ngjarje e ndodhur në lagjen ‘Asllan Çeshme’.
Nikçi tha se prokurorja e Krimeve të Rënda ka dalë terren ndërsa po monitorohen edhe spitalet.
“Prokurorja e Krimeve të Rënda mbrëmë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe gjithashtu edhe në spital. Për fat të keq, një fëmijë dhe një grua kanë humbur jetën nga përmbytjet”, tha Nikçi.
Nëna rreth 30-vjeçare së bashku me fëmijën e saj të vetëm 5-vjeçar, në momentet kritike ishin duke qëndruar në shtëpi. Fatmir Asllani nënkryetar në komunën e Pejës tha se rastin e kanë raportuar fqinjët dhe gruaja që u raportua e zhdukur më vonë u gjet në afërsi të një shtëpie të fqinjëve.
Vdekjen e nënë e bir e kanë konfirmuar mjekët. Nënkryetari i Pejës tha se ekipi në terren do të bëjë vlerësimin e dëmeve materiale, sepse raportohet se ka dëme të konsiderueshme. Ai gjithashtu tha se aktualisht situata është e qetë në Komunën e Pejës, por gjendja nëpër rrugë e trotuare është problematike.