Inteligjenca amerikane ka shtuar vigjilencën në rajonin tonë pas sulmit të Ukrainës nga Rusia, rreth 600 trupa të Bashkimit Evropian dërguar në Bosnje Hercegovinë, vend i cili shihet nga perëndimi si minë me sahat për shkak të ndikimit rus.
Inteligjenca amerikane dhe e shteteve të tjera perëndimore po i kushtojnë një vëmendje të shtruar çdo lëvizjeje të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
Kështu ka raportuar CNN e cila citon burime nga Inteligjenca amerikane.
Vëmendja e shtuar tregon shqetësimin e vazhdueshëm të Perëndimit për ambiciet e Presidentit Putin përtej Ukrainës.
NATO dhe BE kanë shtuar forcat paqeruajtëse në Bosnje Hercegovinë nga 600 në 1100 mes përshkallëzimeve në lindje të Evropës.
Të premten edhe 120 trupa të EUFOR u dorëzuan në shtabin e tyre në Sarajevë.
EUFOR tha të enjten se përkeqësimi i situatës së sigurisë ndërkombëtare mund të krijojë destabilitet në Bosnje Hercegovinë.
Ata thanë se përforcimet ishin të lidhura me një përkeqësim më të gjerë të sigurisë në skenën globale, të shkaktuar jo vetëm nga kriza në Ukrainë, por edhe nga ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit, veçanërisht në entitetin e dominuar nga serbët e Bosnjës, Republika Srpska, si dhe Mali i Zi e Serbia.