Ballina Lajme Kryeministri Edi Rama nga Fieri është shprehur për planin e pavarësimit të...

Kryeministri Edi Rama nga Fieri është shprehur për planin e pavarësimit të Shqipërisë nga pikëpamja energjetike dhe për ta bërë eksportuese neto.

1

Gjatë vizitës në kantierin e parkut fotovoltaik “Blue 1”, në Topojë të Fierit, me një kapacitet prej 50 deri 200 MW, kryeministri Edi Rama u shpreh për planin për të pavarësuar plotësisht Shqipërinë nga pikëpamja energjetike dhe për ta bërë eksportuese neto është gjithmonë e më realist. “Unë shoh shumë lëvizje në këtë drejtim pavarësisht se jo të gjitha këto do të bëhen realitet për arsyet që thashë, por edhe për arsye të tjera.

Arsyeja e tretë, që është edhe më e forta, në fund, është se do të duhet tregu, do të duhet të garantohet tregu. Sidoqoftë volumi i investimeve që janë potenciale është gjigant”, tha Rama. Kryeministri u ndal te plani për të pavarësuar plotësisht Shqipërinë nga pikëpamja energjetike dhe për ta bërë eksportuese neto. Sipas tij, “ky plan është absolutisht gjithmonë e më realist, duke marrë parasysh këto, por edhe investime të tjera që do të shkojnë paralelisht”.

“Kemi investime duke filluar nga Skavica që është në proces, duke vazhduar me ato të erës. Kemi edhe investimin me gazin e lëngshëm që futet në lojë dhe me projektin e parë të gazifikimit që jemi duke e hartuar së bashku me partnerët tanë të Azerbajxhanit. Nëse ai projekt do të ecë mirë pastaj ajo do të shtrihet.

Aktualisht po punojmë në rajonin e Korçës dhe me gjasë do të jemi në gjendje të hapim rrugën edhe për rafinerinë që të na çlirojë përfundimisht nga historitë e imponimeve të tregut dhe do të na japë mundësinë edhe të kemi një treg shumë të lehtësuar nga këto pesha dhe do të kemi edhe një komponente të drejtpërdrejtë vendimmarrje mbi çmimin”, shtoi Rama.

Duke iu referuar afrimit të stinës së verës si një moment i rrezikshëm që është piku i verës kur rritet konsumi, kryeministri Rama ka kërkuar rifillimin e një tjetër fushatë për konsumin, sepse është e njëjta gjë si në dimër edhe në verë, kur konsumi rritet nga turizmi.

/Tv Kombi/