Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar në lidhje me kontrollin e Policisë së Shtetit në kampin e muxhahedinëve të MEK në Manzë. Nga Korça, ku u konstituua këshilli bashkiak, Peleshi mbështeti aksionin e Policisë, teksa tha në një komunikim për mediat se nuk mund të lejohet të krijohen “ishuj” ku shkelen ligjet. Megjithatë ai theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një vend pritës.
Ministri u ndal edhe te sulmet kibernetike të Iranit ndaj shtetit shqiptar, teksa e konsideroi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike si një akt të guximshëm, por të matur.
“Ne jemi të vendosur që të mos lejojmë të krijohen ishuj ku shkelen ligjet. Ne do vazhdojmë të jemi vend pritës. Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin ka qenë veprim i drejtë, por dhe i matur. Ne vetëm pasi morëm evidenca shumë të qarta nga partnerët tanë, vendosëm të prishim marrëdhëniet diplomatike. Nuk është një akt i lehtë, është akt i guximshëm sepse Irani është një fuqi për fat të keq në botën kibernetike, por ne si në këtë rast do reagojmë sa herë që cenohet siguria jonë kombëtare”, tha Peleshi.
Policia shqiptare ushtroi të martën (20 qershor) një kontroll të gjerë në kampin e Muxhahedinëve në Manëz, pasi dyshohet se ata janë përfshirë në sulme kibernetike kundër institucioneve shqiptare.
Policia hasi në rezistencën e banorëve të këtij kampi, të cilët pretenduan për dhunë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku mohoi akuzat, duke shtuar se ishin banorët ata që ushtruan dhunë ndaj efektivëve, ku për pasojë 15 efektivë morën lëndime.
Forcat e policisë ndërhynë në kamp pas vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) që autorizoi operacionin për shkak të shqetësimeve se MEK ishte përfshirë sulme kibernetike.
Efektivët blu arritën që të sekuestronin në cilësinë e provës, të cilat kërkoheshin në vendimin e Gjykatës së Posaçme, 96 njësi kompjuterike, 49 laptopë, 2 tableta, 3 karta memorie dhe materiale shkresore të bollshme, të cilët tentuan ti asgjësonin me djegie, disa anëtarë të MEK.
Në total u kontrolluan 17 mjedise, por brenda kampit numërohen rreth 127 objekte, të ndërtuara në një territor prej 38-40 hektarë.
/rtsh.al/