Konsumoi fotoksinë dhe humbi jetën, 63-vjeçari nga Mallakastra është babai i Indrit Çelajt, tekniku i kondicionerëve që u vra në Tiranë
Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e djeshme fshatin Ngraçan të Mallakastrës. Shtetasi Batjan Çelaj, 63 vjeç, pasi piu fotoksinë humbi jetën, ngjarja e rëndë u njoftua nga policia ditën e sotme, ku bëhet me dije se për rastin janë referuar materialet në Prokurori, për vlerësim.
Batjan Çelaj është babai i Indrit Çelajt, tekniku i kondicionerëve, i cili u vra nga vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi, më 22 gusht të vitit 2019 në Tiranë, pas një konflikti banal për rrjedhjen e ujit nga tubi i kondicionerit.
26-vjeçari kishte shkuar te biznesi i Bujar Kusit, babait të dy vëllezërve Albano dhe Griseldo, për instalimin e rrjetit të kondicionimit. Pas konfliktit, Griseldo Kusi e qëlloi Çelajn me plumb në kokë duke i shkaktuar vdekjen. Së bashku me vëllain, Albanon dhe dy shokë, ata u munduan të fshehin dhe manipulojnë ngjarjen e rëndë.
Gjykata e Tiranës vendosi të dënojë Griseldo Kusin me 12 vite burg dhe me dy vjet burg vëllain tjetër, Albano Kusin.
“Kjo që më ndodhi mua mos i ndodhtë asnjërit. Kjo është fatkeqësi e madhe në Shqipëri. Ti nisesh në punë dhe kthehesh i vdekur është fatkeqësi. E kam marrë vesh nga gazetat. Çuni është vrarë në 11 paradite unë e mora vesh në orën 7 në darkë se i kishin marrë edhe dokumentet. Çunin e kishte marrë policia. Djali ishte në punë, punonte me kondicionerë se ka mbaruar edhe elektriken. Montonte kondicionerët. Asnjë konflikt nuk ka pasur djali, ka qenë i kulturuar dhe i sjellshëm. Rrallë gjen djalë si ai, nuk dinte të ofendonte ishte i matur. Ma morën djalin në moshë të re”, u shpreh askohe Batjan Çelaj në lidhje me vrasjen e të birit.