Ballina Lifestyle & Showbiz Kate dhe William mbërrijnë në Xhamajka, por priten me protesta

Kate dhe William mbërrijnë në Xhamajka, por priten me protesta

1

Pas tre ditësh në Belize, Kate Middleton dhe Princi William mbërritën në Xhamajka të martën për pjesën tjetër të turneut të tyre në Karaibe, i cili do të përfundojë me një vizitë në Bahamas të enjten.

Çifti pati një pritje ceremoniale dhe u përshëndet nga personalitete pas mbërritjes së tyre. Dukesha e Kembrixhit u shfaq me një fustan të verdhë nga Roksanda, duke nderuar ngjyrat e flamurit të vendit pritës.

Teksa ata zbarkuan në aeroport, një protestë që bënte thirrje për dëmshpërblime të skllavërisë nga monarkia britanike po zhvillohej në kryeqytetin e Xhamajkës, Kingston.

Demonstrata jashtë Komisionit të Lartë Britanik thuhet se u organizua nga Rrjeti i Avokatëve, një koalicion i të drejtave të njeriut nga aktivistët xhamajkanë dhe organizatat për barazi. Koalicioni ka shkruar gjithashtu një letër të hapur të nënshkruar nga figura të mëdha në Xhamajka, duke bërë thirrje që monarkia britanike të paguajë dëmshpërblime të skllevërve, ndërsa vendi shënon 60-vjetorin e pavarësisë nga Britania e Madhe.

Vizita e Kate dhe William në Xhamajka vjen gjithashtu mes raportimeve se vendi i Karaibeve po bën lëvizje për të hequr Mbretëreshën Elizabeth nga posti i kreut të shtetit.

Burimet thanë për PEOPLE se William dhe Kate janë në dijeni të situatës dhe protestave. Por William pritet ta pranojë çështjen e skllavërisë në fjalimin e tij sot në mbrëmje.

Sipas The Independent, “një koalicion i politikanëve xhamajkanë, liderëve të biznesit, mjekëve dhe muzikantëve” po bëjnë presion që vendi të shkëpusë zyrtarisht lidhjet me monarkinë dhe të ndryshojë statusin e vendit nga një monarki kushtetuese në një republikë. Koalicioni i ka dërguar gjithashtu një letër të hapur Princit William dhe Kate Middleton.

Përpara 60-vjetorit të pavarësisë, aktivistët synojnë të “heqin prangat e së kaluarës koloniale [të Xhamajkës] dhe shumë në vend kërkojnë si dëmshpërblime financiare, ashtu edhe një falje formale nga monarkia”.

Një vend tjetër i Karaibeve, Barbados, shkëputi lidhjet me Mbretëreshën në nëntor duke votuar për presidentin e parë dhe thuhet se Xhamajka mund të ndjekë shembullin.