Policia ofron 5 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion në lidhje me autorin e grabtijes së ndodhur mëngjesin e sotëm, në një biznes të transfertave të parave në zonën e Astirit në Tiranë.
Policia garanton anonimat të plotë për të gjithë qytetarët që do të ofrojnë informacion për grabitësin, i cili kujtojmë se u largua nga vendngjarja me një biçikletë.
“Në funksion të hetimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e sotëm, ku një shtetas është futur në një pikë për transferta parash dhe këmbimi valutor në Unazë të Re, dhe nën kërcënimin e një arme zjarri ka marrë një shumë parash dhe është larguar me biçikletë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vë në dispozicion pamjet filmike të ngjarjes.
DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694110415, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, njofton Policia.