Ballina Lajme Dy senatorët amerikanë vizitë në Tiranë: SHBA nuk ka mik më të...

Dy senatorët amerikanë vizitë në Tiranë: SHBA nuk ka mik më të mirë në botë se Shqipëria

1

Dy senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters kanë zhvilluar një vizitë në Tiranë, në kuadër të një turi rajonal në Ballkanin Perëndimor. Senatorët u takuan me Kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin Bajram Begaj, ku u konfirmuan marrëdhëniet mjaft të ngushta mes dy vendeve.

Senatori Chris Murphy e ka cilësuar Shqipërinë si një nga miket më të mira të SHBA.

“Shkëlqyeshëm të kaloj kohë me mikun tim Kryeministër Edi Rama në Tiranë. SHBA nuk ka mik më të mirë në botë se Shqipëria. E mrekullueshme të kthehesh”, shkruan Murphy

Edhe Ambasada e SHBA në Tiranë tha se senatorët u takuan edhe me kreun e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias.

“Ishte kënaqësi të mirëprisnim sërish në Tiranë sot senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters. Gjatë vizitës së tyre, senatorët u takuan me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe deputetë. Ata u takuan gjithashtu me përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias, si dhe me të evakuuar afganë në Shqipëri. Delegacioni pati mundësinë të vizitojë edhe kalanë historike të Prezës.”, shkruan Ambasada Amerikane.

Senatori Chris Murphy shërben në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Komisionin e Senatit për Shpërndarjen e Fondeve dhe Komisionin e Shëndetësisë, Arsimit, Punës dhe Pensioneve.

Senatori Gary Peters shërben si Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe Çështjeve Qeveritare. Ai gjithashtu shërben në Komisionin e Senatit për Shpërndarjen e Fondeve, Komisionin e Shërbimeve të Armatosura dhe Komisionin e Tregtisë, Shkencës dhe Transportit.

/rtsh.al/