Mbytja e nëndetëses Titan ishte një ngjarje e rëndë që mori vëmendje në të gjithë botën, ndërsa pas zbulimeve të rrënojave të saj, specialistët u përqendruan në analizimin e defekteve që shkaktuan tragjedinë.
E teksa diskutimet përqendrohen te siguria që ajo anije kishte, në reportazhet e publikuar nuk mund të mos të vihet re momenti kur shfaqet edhe flamuri shqiptar. Në të vërtetë, flamuri shqiptar shfaqet në nëndetësen Triton, e ngjashme me Titan, pjesë e “Five Deeps Expedition” që ka eksploruar thellësitë e Paqësorit.
E në fakt, flamuri shqiptar u bë pjesë ekspeditave për të zbuluar misteret e Paqësorit falë një amerikani. Victor Vescovo, një biznesmen dhe eksplorues amerikan, i pari njeri në botë i cili u ul në pikën më të thellë të Tokës, në thellësinë 10928 metra, mban gjithnjë me vete në uniformë flamurin shqiptar, si një deikim për gruan e tij, Monica Beu. Me pas ai eksploroi 5 pikat më të thella të globit në kuadër të ekspeditës.
“Flamuri Kuq e Zi i Shqipërisë është një nder për këmbënguljen dhe historinë e jashtëzakonshme të popullit të madh shqiptar dhe në veçanti të një gruaje shqiptare që është partnerja afatgjatë e sponsorit të ekspeditës dhe i cili mbetet një mbështetës i fortë”, shpjegon faqja e “Five Deeps Expedition” .
/rtsh.al/