Ballina Lajme Bursë sa paga minimale për maturantët që zgjedhin degët prioritare

Bursë sa paga minimale për maturantët që zgjedhin degët prioritare

14

Në një dalje për mediat në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, bëri me dije se është miratuar vendimi që maturantët që zgjedhin degët prioritare për studime dhe kanë një mesatare mbi 8.5 përfitojnë një bursë sa paga minimale çdo muaj.

“Sot miratuam një vendim konkretisht bëhet fjalë për vendimin që morëm vitin e kaluar për programet prioritare dhe mbështetjen financiare të studentëve ekselentë dhe të studentëve që ndjekin këto programe prioritare.

Aktualisht sipas vendimit që është në fuqi ne kemi shpallur një listë të programeve prioritare siç janë bujqësia, disa inxhinieri, turizmi, mësuesia dhe ndërkohë të gjithë ata maturantë që kanë mesatare mbi 8.5 dhe që zgjedhin një nga këto programe, përfitojnë një bursë sa paga minimale çdo muaj”-tha Kushi.

Më tej Kushi tha se detyrimi i tyre është që pas diplomimit të qëndrojnë 3 vite të japin kontribut për vendin.

Për të nxitur maturantët të ndjekin këto programe studimi është vendosur të hiqet dhe kriteri i ruajtjes së notës mesatare

“Ndërkohë që kemi hequr kështu gjithashtu edhe kriterin që duhet ta ruajë mesataren përgjatë studimeve. Pra në VKM-në ekzistuese maturantët për të vazhduar që ta marrin edhe vitin e dytë edhe vitin e tretë bursën, duhet të ruajnë mesataren që kanë nga shkolla e mesme. Ndërkohë që ne e kemi hequr. Pra edhe nëse një student vitin e parë edhe pse mund të ketë rënë nga mesatarja 8.5 në 8, ai do të vazhdojë të mbështetet me bursë edhe vitin e dytë, edhe në vitin e tretë, me qëllim që kjo mbështetje të vlejë për gjatë gjithë kohëzgjatjes së studimeve dhe në fund të fundit ti shërbejë vendit për të plotësuar nevojat që ka vendi. Me kushtin që kur të diplomohen të qëndrojnë në Shqipëri dhe të japin kontribut për 3 vite”tha Kushi.

Të njëjtën bursë sa paga minimale e përfitojnë studentët ekselentë ashtu sikurse edhe ata që fitojnë olimpiada ndërkombëtare./Opinion.al