Kreu i politikës së Jashtme Joseph Borrell ka deklaruar se situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar dhe se gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti synohet që të gjendet një zgjidhje për shtensionimin e menjëhershëm.
“Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për ç’tensionimin e menjëhershëm dhe të ecim përpara”, shkruan Borrell në Twitter.
Pas takimit me Kurtin, Borell do të presë edhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit konfirmoi sot praninë e tij në takimin në Bruksel, por theksoi se nuk do të ulet në një tryezë me kryeministrin Kurti.
Diskutimet do të përqendrohen në gjetjen e një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës që ka tensionuar edhe më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Kurti ka theksuar më herë se në këtë takim do të insistojë në lirimin e 3 policëve të Kosovës që ndodhen ende në paraburgim në Serbi. Ndërkohë ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që të merren masa për qetësimin e situatës, duke paralajmëruar për pasojëa ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Më herët, Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian theksoi se “përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.
Kujtojmë se vendosja e kryetarëve të rinj në komunat në veri të Kosovës u shoqërua me protesta të dhunshme nga ana e protestuesve serbë, të cilët sulmuan ushtarët e KFOR-it, policinë e Kosovës dhe nuk kursyen as mediat e gazetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Ndërsa më 15 qershor gjendja arriti kulmin e tensionit midis Prishtinës dhe Beogradit, kur forcat serbe rrëmbyen tre policë brenda territorit të Kosovës.
Takimet në Bruksel mes të Kosovës dhe Serbisë me gjasë do të jenë vetëm takime dypalëshe, mes bartësve të dialogut, Kurti, dhe Vuçiç, me ndërmjetësit evropianë të dialogut.
Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, në një konferencë për shtyp nuk ka treguar se a do të ketë apo jo takim trepalësh.
“Unë nuk kam thënë se nuk do të ketë takim mes tyre. Me rëndësi është se ata sot do të jenë në Bruksel, me ftesë të përfaqësuesit të lartë. Të shohim se si do të shkojnë takimet, e pastaj mund të dimë më shumë”, është përgjigjur Massrali, në pyetjen se a do të ketë pasoja për ata që refuzojnë të takohen.
/rtsh.al/