Policia e Tiranës, me kërkesë të SPAK-ut, ka vënë në pranga një person në Kavajë, i cili akuzohet se gjatë zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023, iu ka premtuar dhe iu ka ofruar personave të tjerë shuma monetare me qëllim për të marrë pjesë në votime, si dhe i ka orientuar ata për mënyrën e votimit.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ka bërë të të ditur se ka zhvilluar hetime në lidhje me proçedimin penal që bën fjalë për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga Kodi Penal.
“Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me këtë proçedim penal, janë krijuar dyshime se shtetasi K.K, me banim në Kavajë, në datën 14.05.2023, datë në të cilën janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme vendore për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, iu ka premtuar dhe iu ka ofruar personave të tjerë shuma monetare me qëllim për të marrë pjesë në votime, për të siguruar pjesëmarrjen edhe të personave të tjerë në votime, si dhe për të përcaktuar mënyrën e votimit.”- thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin të Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:
Caktimi i masës së sigurimit “Arresti në burg” të parashikuar nga Kodi i Procedurës Penale për personin nën hetim K.K, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga Kodi Penal.
“Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policise Tiranë kanë ekzekutuar në datën 09.06.2023 masën e sigurimit personale të vendosur ndaj personit nën hetim të mësipërm. Hetimet paraprake për këtë proçedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.”- përfundon njoftimi i SPAK-ut.
/rtsh.al/