Ballina Lajme Arrestimi i Vangjush Dakos, SPAK nis hetimet ndaj personave që nxorën sekretin...

Arrestimi i Vangjush Dakos, SPAK nis hetimet ndaj personave që nxorën sekretin hetimor

0

SPAK ka nisur hetimet ndaj personave që dyshohet se kanë nxjerrë sekretin hetimor në lidhje me arrestimin e ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako.

Sipas SPAK këto persona akuzohen se kanë zbuluar të dhëna sekrete lidhur me masat e sigurimit ndaj Vangjush Dakos dhe ish zyrtarëve të tjerë të Bashkisë Durrës duke ia kaluar këto të dhëna palëve të treta.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet për kryerjen e veprës penale ”Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal.

Fillimi i hetimeve kryesisht për këtë vepër penale është bërë për shkak të zbulimit ndaj të tretëve të të dhënave dhe të përmbajtjes së akteve procedurale, të cilat përbëjnë ”sekret hetimor”, që lidhen me veprimet procedurale të paraqitjes dhe të shqyrtimit të kërkesës me objekt caktimin e masave të sigurimit në ngarkim të shtetasve V.D etj, të kryera në kuadër të procedimit penal nr.197 viti 2020 të Prokurorisë së Posaçme”, njofton SPAK.

Nën hetim nga SPAK janë “të gjithë personat e përfshirë në kryerjen e veprimeve procedurale për caktimin e masave të sigurimit për procedimin penal nr.197 viti 2020, duke përfshirë funksionarët e drejtësisë, personelin administrativ të organeve procedurale, si dhe çdo person tjetër që ka marrë dijeni për veprimet procedurale për shkak të funksionit të tij, të cilët mundet të kenë zbuluar të dhënat sekrete ndaj personave të tretë”.

Vangjush Dako u arrestua më 6 qershor për shpërdorim detyre lidhur me dy raste. SPAK shpjegon se Dako në bashkëpunim me 9 ish-zyrtarët e tjerë “kanë legalizuar një objekt të ndërtuar para zbardhjes së lejes së ndërtimit, dhe jo sipas projektit të miratuar. Dako së bashku me drejtorin e firmës së ndërtimit, arkitekten dhe topografët kanë shpërdoruar detyrën, pasi nuk kanë pasqyruar në dokumentacionin tekniko-ligjor, të objektit të vërtetën në lidhje me kohën kur janë bërë punimet dhe është realizuar ndërtimi, duke bërë që këto akte të jenë të falsifikuara në përmbajtje”.

Në rastin e dytë, SPAK thekson se në vitin 2014 ka rezultuar se Bashkia e Durrësit ka kryer një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Sipas SPAK grupi i ngritur nga Dako për vlerësimin e projektit kanë nxjerrë në mënyrë të qëllimshme një vlerë shumë herë më të lartë se sa vlera reale e përcaktuar edhe me VKM.

/rtsh.al/