Ballina Lajme 100 mijë euro në tavanin e autobusit, 37-vjeçari nuk i shpëton dot...

100 mijë euro në tavanin e autobusit, 37-vjeçari nuk i shpëton dot pastorit

0

Një 37-vjeçar u arrestua nga autoritetet në Portin e Durrësit, pasi në autobusin e tij u gjetën të fshehura rreth 100 mijë euro. Burime zyrtare të policisë thonë se paratë u zbuluan në një autobus të linjës Durrës-Bari-Durrës.

Mjeti u kontrollua në hyrje të Shqipërisë dhe siç shihet edhe në pamje, ishte qeni (pastor gjerman) që i zbuloi paratë në pjesën e tavanit. Në total, u zbuluan 8 paketime me kartëmonedha në euro, gjithsej 99 700 euro. Ndaj shoferit të autobusit rëndon akuza e mosdeklarimit në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në port Durrës, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për goditjen e paligjshmërive dhe krimeve ndërkufitare, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës dhe autoritetet doganore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Entry”

Gjatë operacionit, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, një autobus tip “Scania” i linjës Durrës-Bari-Durrës. Gjatë kontrollit të imtësishëm në autobus, me metoda bashkëkohore, në pjesën e tavanit, janë gjetur 8 paketime me kartëmonedha në euro, gjithësej 99 700 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Rr., 37 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti”, thuhet në një njoftim të policisë së Durrësit.