Ballina Bota Zemra e 12-vjeçarit rreh dhe i shtrëngon dorën nënës, por...

    Zemra e 12-vjeçarit rreh dhe i shtrëngon dorën nënës, por gjykata e shpall të vdekur dhe urdhëron mjekët t’i heqin ventilatorin

    1

    Gjykata britanike ka dhënë një vendim të diskutueshëm për të ndalur jetën e një djali 12 vjeçar pasi mjekët thonë se i ka vdekur truri, ndërsa prindërit refuzojnë ta pranojnë duke theksuar se vogëlushit i rreh zemra dhe nënës i ka shtrënguar dorën edhe pse në koma.

    Vendimin e shpalli sot një gjykatës që çmoi se djalit 12-vjeçar Archie Battersbee, duhet t’i ndalet jeta duke i hequr ventilimin, raporton noa.al duke cituar PA news.

    Gjyqtarja Justice Arbuthnot tha të hënën: “Konstatoj se Archie vdiq mesditën e 31 majit 2022, që u konstatua pas skanimeve MRI të marra atë ditë.

    Unë u jap leje profesionistëve mjekësorë në Spitalin Mbretëror të Londrës që të pushojnë së ventiluari mekanikisht fëmijën Archie Battersbee.”

    Vendimi i gjyqtarit i jep fund mosmarrëveshjes së gjykatës së Lartë mbi të ardhmen e trajtimit të Archie. Mjekët në Spitalin Mbretëror të Londrës në lindje të Londrës thanë se djali ishte “i vdekur nga truri” dhe duhet të shkëputej nga një ventilator që e mban në jetë.

    Prindërit e Archie-t, Hollie Dance dhe Paul Battersbee, nga Southend, Essex, këmbëngulën se zemra e të riut ende rreh dhe duan që trajtimi të vazhdojë.

    Çfarë ndodhi me Archie?

    Archie u gjet pa ndjenja me një frakturë në kokë më 7 prill 2022 në shtëpinë e tij në Essex. Nëna e tij mendon se ai mund të ketë marrë pjesë në një sfidë në internet.

    12-vjeçari nuk është më i vetëdijshëm që nga momenti i gjetjes dhe mbetet në gjendje kome.

    Mjekët që trajtojnë Archie Battersbee në Spitalin Mbretëror të Londrës në Whitechapel, në lindje të Londrës, thanë se mendojnë që fëmija është “i vdekur nga truri”.

    Ata thanë se trajtimi i mbajtjes në jetë duhet të përfundojë dhe Archie duhet të shkëputet nga ventilatori.

    Vdekja e trurit, ndodh kur një person me mbështetje artificiale të jetës nuk ka më funksione të trurit; dëmi është i pakthyeshëm dhe vetëdija nuk rikthehet ose nuk do të mund të marrin frymë vetë. Sipas ligjit të Mbretërisë së Bashkuar, nëse dikush konfirmohet se i ka vdekur truri, personi ka vdekur.

    Pas seancës dëgjimore, gjykata e Lartë ra dakord me spitalin, duke vendosur që Archie vdiq në mesditën e 31 majit 2022. Për këtë vendim shërbeu skanimi që sugjeroi se truri kishte ndalur së funksionuari.

    Zonja Justice Arbuthnot tha se zbuloi se “ndërprerja e pakthyeshme e funksionit të trungut të trurit është vendosur përfundimisht” dhe i dha leje stafit mjekësor në spital të ndalonte ventilimin e Archie.

    Nëna e Archie-t e zemëruar për vendimin e gjykatësit

    Prindërit e Archie-t, Hollie Dance dhe Paul Battersbee, këmbëngulën se Archie-t i duhet më shumë kohë përpara se të ndalet jeta e tij.

    Nëna e Archie tha se djali i saj i ka kapur gishtat me një shtrëngim të dorës.

    Pas vendimit, Dance tha: “Jam e shkatërruar dhe jashtëzakonisht e zhgënjyer nga vendimi i gjyqtarit pas javësh luftimi të një beteje ligjore kur unë duhet dhe doja të isha pranë shtratit të djalit tim të vogël.

    “Të bazosh këtë gjykim në një test MRI dhe se ai ka ‘mundësi’ të jetë i vdekur, është e papranueshme. Kjo është hera e parë që dikush është shpallur ‘me gjasa’ të jetë i vdekur bazuar në një skaner, tha Dance duke shtuar se zemra e djalit të saj ende rreh dhe “si nëna e tij, e di që ai është ende atje”.

    “Më vjen keq që spitali dhe gjyqtari nuk kanë marrë parasysh dëshirat e familjes. Nuk besoj se Archie-t i është dhënë mjaftueshëm kohë. Që në fillim kam menduar gjithmonë ‘pse po nxitojnë kaq shumë vallë?”

    Dance konfirmoi se familja synon të apelojë vendimin. /noa.al