tvkombi
tvkombi

Zelenski kërkon që Rusisë t’i hiqet e drejta e vetos në OKB

Bota

Publikuar ne:07:18 - 22/09/2022

Ukraina kërkon nga Kombet e Bashkuara të ndëshkojnë Rusinë për pushtimin e saj dhe t’i heqin të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. Kërkesa vjen pak orë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot për të diskutuar mbi mizoritë e kryera në Ukrainë.

Takimi i Këshillit të Sigurimit vjen një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi mobilizimin e qindra mijë rusëve për të luftuar në Ukrainë. Putin foli për aneksim territoresh nga Ukraina dhe kërcënoi se do të përdorte armë bërthamore.

“Një krim është kryer kundër Ukrainës dhe ne kërkojmë dënim të drejtë,” u tha presidenti Volodymyr Zelenskiy liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të mërkurën, raporton noa.al duke cituar Reuters.

Zelenskiy bëri thirrje për një gjykatë speciale të Kombeve të Bashkuara për të vendosur “dënim të drejtë” ndaj Rusisë dhe që Moskës t’i hiqet vetoja e Këshillit të Sigurimit.

Këshilli nuk ka qenë në gjendje të ndërmarrë ndonjë veprim kuptimplotë për Ukrainën, sepse Rusia është një anëtare e përhershme me veto, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Francën, Britaninë dhe Kinën.

Takimi i së enjtes do të jetë të paktën hera e 20-të që Këshilli i Sigurimit mblidhet për Ukrainën këtë vit.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të përballet me homologët e tij ukrainas dhe perëndimorë, duke përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken, pasi sot, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres dhe prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare Karim Khan pritet të informojnë Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh.

Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët kanë akuzuar Rusinë për krime lufte në Ukrainë. Rusia mohon të ketë shënjestruar civilët gjatë atij që e quan “operacioni i saj special ushtarak”, duke i përshkruar akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut si një fushatë shpifjeje.

‘Përplasje Lindje-Perëndim’

Të mërkurën Putin urdhëroi mobilizimin e parë luftarak të Moskës që nga Lufta e Dytë Botërore, me plane për të filluar menjëherë rekrutimin e rreth 300,000 trupave për të luftuar në vijën e frontit.

Mobilizimi i Rusisë mund të jetë lëvizja më e rrezikshme politike e brendshme e dy dekadave të Putinit në pushtet, dhe vjen pas premtimeve të Kremlinit se nuk do ta bënte një gjë të tillë.

Putin urdhëroi gatishmërinë ushtarake në një fjalim televiziv në të cilin gjithashtu njoftoi lëvizjet për të aneksuar katër provinca të Ukrainës dhe kërcënoi se do të përdorte armë bërthamore për të mbrojtur Rusinë, duke deklaruar: “Nuk është një bllof”.

Figura dhe media pro-ruse njoftuan referendumet për 23-27 shtator në provincat Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia, që përfaqësojnë rreth 15% të territorit ukrainas.

Ju sugjerojmë