Marina amerikane e zbuloi shpërthimin e nëndetëses Titan në pajisjet e monitorimit të zërit nënujor pak pasi u zhduk në Oqeanin Atlantik. Bëhet fjalë për 4 ditë para se rasti të bëhej mediatik.
Marina monitoron detet për sulme të mundshme të armikut dhe ndau gjetjet e saj me Rojet Bregdetare të SHBA-së, e cila nuk e bëri publik lajmin sepse “donte të siguronte vazhdimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit dhe nuk mund të thoshte me siguri se ishte një shpërthim”.
Shpërthimi u regjistrua pak pasi Titan u nis drejt rrënojave të Titanikut, shkruhej në gazetën Wall Street Journal.
“Marina e SHBA kreu një analizë të të dhënave akustike dhe zbuloi një anomali në përputhje me një shpërthim”, tha një zyrtar i marinës për për gazetën.
Të enjten, Roja Bregdetare e SHBA tha se kishte gjetur rrënojat e nëndetëses pranë mbetjeve të Titanikut, i cili ndodhet 3,800 metra nën det.
Zyrtarët u thanë gazetarëve se analizat treguan se rrënojat e gjetura në fund të detit ishin në përputhje me shpërthimin e dhomës së presionit të nëndetëses.
Pesë pasagjerët e anijes janë shpallur të vdekur, sipas OceanGate Expeditions, kompania e cila kishte nën administrim nëndetësen.