Ballina Vendi Zbardhet dokumenti sekret për masakrën e Libofshës! Si u zbuluan autorët që...

Zbardhet dokumenti sekret për masakrën e Libofshës! Si u zbuluan autorët që vranë 5 pjesëtarë të familjes Pupa! Fjalët e fundit vëllezërve Çuka përpara varjes në shesh

2

ANËT POZITIVE QË NDIKUAN
NË ZBULIMIN E AUTORËVE

1-Përkushtimi në punë i gjithë grupit operativ, duke mos njohur kufij kohorë në verifikimin e thithjen e çdo informacioni.
2-Koordinimi i mirë i punës me Degët e Rendit

Publik, që përmendëm më sipër nën drejtimin e drejtuesve më të mirë të Ministrisë së Rendit Publik.
3-Puna e lavdërueshme e shërbimit kriminalistik dhe veçanërisht e ekspertit kriminalist të Degës së Rendit Publik, Vlorë, Llazar Plaku.

4-Bashkërendimi i punës me hetuesin e rrethit, SHIK-un, në kryerjen e të gjitha veprimeve operative apo hetimore.
5-Kryerja e më se 18 kombinacioneve me T.O. dhe 6 për marrjen e shenjave të duarve, kryer me fantazi e intuitë operative nga inspektorët e policisë kriminale, bëri të mundur përjashtimin e një sërë personash të dyshuar dhe ngushtimin e rrethit të personave si autorë të mundshëm të krimit.
6-Ndërtimi me kujdes i operacionit për kapjen e autorëve si dhe bllokimi i menjëhershëm i të gjitha lidhjeve shoqërore të tyre në postën e policisë Libofshë, duke koordinuar punën me hetuesin dhe nëpërmjet veprimeve me T.O. u sqaruan pozitat e tyre.

DISA MANGËSI NË NDJEKJEN
E SHPEJTË TË AUTORËVE
Fillimisht u vërejt çoroditje për zbulimin e këtij krimi të pashembullt. Mbas kryerjes së krimit, detyrat qenë të njëanshme. Hetuesi i çështjes u mjaftua me këqyrjen e pyetjen e dy dëshmitarëve dhe u largua jashtë rrethit pa adresë. Po kështu u larguan edhe ekspertët kriminalistë dhe mjekoligjorë pa dhënë detyra orientuese e pa marrë përsipër detyra për zbulimin e krimit. U desh ndërhyrja e udhëheqjes së Degës së Rendit Publik dhe e Zv/kryetarit të hetuesisë së rrethit për riparimin e menjëhershëm të këtij defekti, çështja penale iu transferua një hetuesi tjetër, u dërgua në vend përsëri eksperti kriminalistik për marrjen e shenjave të duarve me kombinacion personave të dyshuar.

2-Eksperti kriminalist K. Andoni dha konkluzion të gabuar, duke përjashtuar të gjithë kontingjentet e daktiloskopuar të fshatit Libofshë e fshatrave përreth. Kjo bëri që informacionet e marra nga sektori operativ, që Ditbardh Çuko i dënuar më parë për vjedhje, është parë në afërsi të banesës së viktimave para se të ndodhë krimi dhe se mbas kryerjes së krimit është paraqitur mjaft i shqetësuar, aq sa dridhej, të mos çoheshin deri në fund që një ditë mbas kryerjes së krimit. U desh thirrja e ekspertit kriminalist të Degës së Rendit Publik Vlorë për shikimin edhe njëherë të shenjave të duarve të kontingjenteve vjedhës të fshatit Libofshë.
3-Verifikimet, ndonëse nuk munguan, duheshin bërë më të kujdesshme dhe më me përgjegjësi. Themi kështu se, ndonëse për çdo moment u shtrua detyrë verifikimi i personave të larguar nga Libofsha mbas kryerjes së krimit, kjo nuk u bë ashtu siç duhet. Kështu, u nxorën vetëm katër persona, të cilët njiheshin me personalitet të mirë, që janë larguar mbas kryerjes së krimit dhe nuk u nxor vëllai i të dyshuarit, Josif Çuko, që është larguar për në Greqi dhe meqenëse është kapur, ishte kthyer përsëri.
4-Ndonëse u bënë përpjekje për aktivizimin e forcës zbuluese të përjashtuar nga sektori operativ i policisë dhe tërheqja e kandidatëve të përshtatshëm për zbulimin e krimit, kjo detyrë nuk u çua deri në fund, duke përjashtuar vetëm 7-8 takime operative u anua zbulimi (?) vetëm me anën e vijës masave.
5-Koordinimi i punës me SHIK-un u la vetëm për ditën e katërt, kur duhej bërë që në momentin e konstatimit të krimit.
6-Mbajtja në kontroll e kontingjentit keqbërës duhet të ishte parë më mirë si nga sektori operativ i krimeve të hapura, ashtu edhe nga punëtori i policisë së zonës.
7-Dega e Rendit Publik Fier nuk kishte qen gjurmimi, u desh të merrej qeni i gjurmimit të Degës Rendit Publik Lushnjë dhe të pritej në vendin e ngjarjes deri sa ai të vihej në gjurmë. Nga thëniet e autorëve rezultoi se qeni e ndoqi mirë gjurmën e autorëve deri sa ata ishin futur në rezervuarin me ujë në periferi të fshatit. Për zbulimin e shpejtë të këtij krimi, Ministria e Rendit Publik shpërbleu pjesëtarët e grupit operativ dhe personat e tjerë që ndikuan në zbulim me shumën 35 000 lekë. Kryetari i Degës së Rendit Publik Major M. Zaloshnja (firma, vula)

Fjalët e fundit të autorëve para varjes

Në mes të natës, në mes të qytetit të Fierit, para se të ngjiteshin në karriget dhe të shkonin qafën në litar, dy autorët e masakrës së Libofshës, vëllezërit Ditbardh dhe Josif Çuko, kanë pasur mundësinë e fjalës së fundit, apo dëshirës së fundit.

Fiks si në ekzekutimet e kohës së komunizmit. Madje edhe procedura deri te procesverbali i mbajtur me këtë rast nuk dallon nga ata të pushkatimeve të bëra në kohën e komunizmit. Ndryshimi i vetëm është varrosja ekufomave në varrezat publike të Fierit. Dënimi me vdekje me litar i dy autorëve të masakrës së Libofshës u bë sipas një gjykimi të përshpejtuar dhe vendimi i gjykatës mban datën 11 qershor, pra më pak se dy javë pas ngjarjes. Ndërsa pak ditë më pas, më 23 qershor, Presidenti i Republikës nuk u fali jetën dy të dënuarve, duke i lënë rrugë ekzekutimit me vdekje me litar. Ja përmbajtja e këtij procesverbali.

PROCESVERBAL
Mbi ekzekutimin e vendimit me vdekje me litar të dënuarve Ditbardh Çuko e Josif Çuko.
I mbajtur sot më datën 25.06.1992 në orën 02:00, në sheshin e turizmit në qendër të qytetit Fier, në prani të skuadrës ekzekutimit, të prokurorit të rrethit K.N., mjekut ligjor B.S., dhe shefit të policisë së rrethit A.L.
Me vendimin e Presidentit të Republikës N.36 datë 23.6.1992 dhe vendimin e Gjykatës nr. 65 datë 11.6.1992 të dënuarit Ditbardh Çuko dhe Josif Çuko janë dënuar me vdekje, varje në litar. Në këto rrethana në zbatim të normave të rregullores Nr. 01-46 datë 30.3.198…
kapitulli 11, të dënuarit Ditbardh Çuko e Josif Çuko u çuan për ekzekutim.
Para se të ekzekutoheshin, nga ana e prokurorit të rrethit iu tha se Presidenti i Shqipërisë nuk e mori parasysh kërkesën për faljen e jetës dhe me vendimin nr. 36 datë 23.6.1992 lë në fuqi vendimin e Gjykatës Popullore.
Ata para ekzekutimit të vendimit deklaruan:
I dënuari Ditbardh Çuko: “Nuk kam gjë për të thënë”.
I dënuari Josif Çuko: “Nuk kam gjë për të thënë”.
Pas kësaj u bë menjëherë ekzekutimi i tyre. Të varurit në litar u kontrolluan nga ana e mjekut ligjor në prezencë të pjesëmarrësve të përmendur në procesverbal, i cili konfirmon vdekjen e të dënuarve në fjalë. Procesverbali, pasi u shkrua, u lexua nga pjesëmarrësit dhe nënshkruhet rregullisht me firmën e tyre. Prokurori i Rrethit, K.N. (firma) Shefi i Policisë së Rrethit A.L.
(firma) Mjeku Ligjor A.s. (firma) Poshtë, vula e Degës së Rendit Publik, Fier./Panorama