Ballina Vendi Weekend-i presidencial, një mantelbardhë në krye të shtetit!

Weekend-i presidencial, një mantelbardhë në krye të shtetit!

1

Në showroom-in e propozimeve për emrin presidencial, vitrina e potencialeve probabël prezantohej me kandidatin e vetëm të maxhorancës, pasi opozita zgjodhi të sabotonte çdo raund të procesit angazhues. Bajram Begaj s’pati oponent në altarin drejt presidencës, u aprovua me konsensusin e gjerë mono-partiak, ishte protagonist absolut në show-n fasadë që minoranca përpiqet imtësisht të tradicionalizojë tanimë çdo tentativë demokratike. Stuhia e betejës opozitare ka destabilizuar shtratin e lumit të politikës shqiptare, duke ia perënduar rrjedhën e zhvillimeve normale në errësirën e pellgjeve të braktisura. Rrënojat katastrofike të moskoherencës në ndjekjen e një linje unanime, i kushtojnë Shqipërisë progresin politik.

Në perëndimin e së premtes, Bajram Begaj u njoh me propozimin publik të Edi Ramës, si njeriu i tij i zgjedhur për të ecur mbi tapetin e beftë presidencial, së paku kështu u shërbye mediatikisht lajmi. Në vendet me aplikim funksional të demokracisë, lypset që figura emblematike e mishërimit të unitetit kombëtar të jetë produkt i fabrikimit konsensual mes ingredientëve partiak. Smogu politik që frymon sot opozita e përçarë, ia pamundëson daljen me propozim unanim, për pasojë presidenti i vendit me cilindo profil profesional qoftë, s’mund të jetë kurrsesi konsensual. Sot, deputetët e PD-së nuk janë nxitës tifozë vetëm të duelit Basha-Berisha, por në shfaqen teatrale të minorancës aktrojnë edhe ata që janë grupim i tretë, i pastabilizuar ende në qëndrimet valvitëse që iu luhaten sipas rrymës së erës, rasti i Salianjit, Dumës e kusur. Fragmentarizimi i tejskajshëm dhe i paprecedentë me kokëfortësi të pazgjidhshme i pakicës, është ngërç që mban peng emancipimin social të Shqipërisë. Sikur kjo të mos mjaftonte, papjekuria e një klase politike jehon shurdhët, kur mohon të mesojë nga gabimet e së shkuarës, rast flagrant ai i bojkotit të djeshëm në sallën e parlamentit. Opozita mund t’i targetojë tabelën e akuzës për shumëçka qeverisë, por pretendimi se presidenti është zgjedhje personale e Edi Ramës mbetet komik, sa kohë ata refuzojnë e bastardojnë ligjshmërinë e procesit.

Bajram Begaj, është fytyra e re e shtetit shqiptar, një portret buzagaz me falenderime përulëse ndaj votuesve socialiste që e mandatuan si qytetarin e parë të republikës duke i dhënë njëherazi mundësinë e të bërit histori. Sfidat që e presin z.Begaj, s’janë aspak të lehta, këtë e përligj ndasia në 5 kampe brenda opozitës gjatë votimit të tij apo akuzat që vërshuan prej ushtarëve mediatik të Berishës, por një president mbi palët e nën zbatimin e betimit është nevoja imediate e Shqipërisë. Ky vend është sprovuar me vasal politik e profile adekuate si kryetar shteti, më i lakuari ndër to, Alfred Moisiu ishte gjithashtu lider i shërbimit ushtarak. Nëse Bajram Begaj, do të jetë në lartësinë e duhur për ushtrimin e detyrës, këtë e teston koha, por formimi i një profesionisti shëndetësie është garanci e pakontestueshme intelektuale. Misioni i një mjeku është mbi të tjerët, ëngjëjt mantelbardhë janë shërbëtorë elitarë të mirëqenies qytetare, zotues besnikë të betimit të Hipokratit si dëshmi e parevokueshme sakrifice. Mjekët janë plejada e shoqërisë, rrebesh vlerash që s’shterojnë kurrë, autoriteti më i lartë profesional, mbartës të armatës së virtyteve që i lypsen kreut të shtetit.

Parimisht, Bajram Begaj gëzon vetitë e një figure të pranueshme, u konfirmua e mundi t’i mbijetonte 5 grupimeve bojkotuese, ia doli të ishte presidenti i 8-të i Shqipërisë. Me gjasë, as e kishte projektuar ndonjëherë majën e hierarkisë institucionale, të cilën i kërkohet ta përfaqësojë denjësisht. Ky momentum politik, përligj nevojën e kthimit të integritetit politikbërës në arenën ndërkombëtare!