Ballina Lajme Vrasja në Sarandë, arrestohen 2 vëllezërit dhe administratori i lokalit

Vrasja në Sarandë, arrestohen 2 vëllezërit dhe administratori i lokalit

1

Goditën me thikë 41-vjeçarin, i cili ndërroi jetë në spital, si pasojë e dëmtimeve të marra, Policia vë në pranga 2 autorët e dyshuar. Në pranga dhe punëdhënësi i 2 autorëve të dyshuar, pasi tentoi të fshihte ngjarjen

Sarandë – Hetimi për vrasjen dje në Sarandë ka vijuar sot me arrestimin e dy personave të tjerë.

Policia njofton se në pranga kanë rënë dy vëllezërit Xhanelo Tarja e Xhoi Tarja, si dhe Genci Ahmeti, i cili sipas policisë nuk ka treguar se çfarë ka ndodhur duke tentuar që të fshehë ngjarjen kriminale.

Sherri dyshohet se ka ndodhur për një vend parkimi mes 41 vjeçarit Klodian Bakiaj dhe vëllezërve nga Laçi, Xhanelo e Xhoi Tarja të punësuar përkohësisht në Sarandë.

Pasi sherri ka kaluar në përleshje dy vëllezërit akuzohen se kanë qëlluar me thikë 41-vjeçarin Klodian Bakia, i cili si pasojë e plagës fatale ka ndërruar jetë.

Pas ndjekjes së pandërprerë të autorëve të dyshuar, pas disa orësh kërkimesh, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan 2 autorët e dyshuar, shtetasit Xhanelo Tarja, 24 vjeç dhe Xhoi Tarja, 18 vjeç (vëllezër), të dy banues Laç dhe të punësuar përkohësisht në Sarandë.

Ata akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Këta 2 djem, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Lefter Kalo”, në lagjen nr.1, Sarandë, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, për një vend parkimi në afërsi të hotelit, ku ishin të punësuar vëllezërit, kanë goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin Klodian Bakiaj 41 vjeç, banues në Tepelenë, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ndërroi jetë në spitalin e Sarandës.

Gjithashtu, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Genci Ahmeti, 41 vjeç, administrator i hotelit ku ishin të punësuar 2 autorët e dyshuar.

Ai akuzohet për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi nuk ka pranuar të tregojë rrethanat e kësaj ngjarjeje për krimin e kryer nga punëtorët e tij, si dhe ka kryer veprime për fshehjen e provave në lidhje me këtë ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.