Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Valuta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2.
Vodhi një shumë të konsiderueshme parash në subjektin ku ishte e punësuar, vihet në pranga 34-vjeçarja. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Valuta”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetases:
– B. Sh., 34 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi Y. K., 42 vjeç, banues në Fier.
Shtetasja B. Sh. ishte e punësuar në një subjekt këmbimi valutor, në pronësi të shtetases D. K. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se gjatë javës së fundit të muajit korrik, kjo shtetase, në bashkëpunim me shtetasin Y. K., ka vjedhur 900.000 lekë të rinj, në këtë subjekt.
Punohet për kapjen e shtetasit Y. K.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.