Ballina Lajme Vdekja e Lear Kurtit, protestuesit zhvendosen tek Kryeministria, në duar mbajnë foton...

Vdekja e Lear Kurtit, protestuesit zhvendosen tek Kryeministria, në duar mbajnë foton e 32-vjeçarit në spital

1

Pasi protestuan tek Ministria e Brendshme, qytetarët janë nisur drejt kryeministrisë duke bërë thirrje “Rama ik!”.

Qytetarët janë mbledhur mbrëmjen e sotme për të dytën herë në protestë për të kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, pas vdekjes së 32-vjeçarit Lear Kurtit.

Fillimisht ata u mblodhën para Ministrisë së Brendshme, ku bënë thirrje për drejtësi për të riun, ndërsa tashmë po zhvendosen dhe po marshojnë drejt kryeministrisë.

“Rama burg! Rama ik! Ju jeni vrasës. Drejtësi për Learin”. Këto janë disa nga thirrjet që qytetarët bëjnë.

Kjo protestë mbështetet edhe nga kreu i PD Sali Berisha dhe deputetët e kësaj force. Thirrjes së PD iu përgjigj edhe Partia e Lirisë.

Gazetari Osman Stafa raportoi se, tek Ministria e Brendshme, qytetarët kanë hedhur domate, jo drejt uniformave blu, por në afërsi të këmbëve të tyre.

Ata u drejtuan me thirrjet: “Ju jeni vrasës! Kriminelë. Policia e krimit. Ministria e vrasjes!” 

Ndërkohë qytetarët kërkuan të kalonin kordonin e policisë, për të ndezur qirinj pas krahëve të tyre. Më pas ata kanë hedhur miell mbi efektivët si shenjë ironie për deklaratën e policisë se i riu kishte kokainë me vete kur u arrestua.