Ballina Vendi Urat lidhëse midis Shqipërisë dhe Austrisë sipas revistës austriake “Society”

Urat lidhëse midis Shqipërisë dhe Austrisë sipas revistës austriake “Society”

1

Revista austriake Society, një revistë e fokusuar në analizën e diplomacisë moderne dhe e themeluar 77 vjet më parë, në botimin e saj me të fundit i ka kushtuar një hapësirë të veçantë Shqipërisë, ku në kopertinën e saj e ka titulluar artikullin dedikuar vendit tonë: “Shqipëria, rrugës drejt Bashkimit Evropian”.

Në këtë speciale të revistës “Society” mbi Shqipërinë, flitet për historinë, turizmin dhe natyrën e tokës së shqiponjave. Një vend të vençantë i kushtohet marrëdhënieve të ngushta të Austrisë me Shqipërinë, kjo e treguar nëpërmjet Presidentit të Grupit BALFIN, sipërmarrësit Samir Mane, dhe aktivitetit diplomatik të ambasadorit tonë në Vjenë, Roland Bimo.

Shkrimi i revistës e trajton marrëdhënien midis dy vendeve në shumë plane. Mbështetja e Austrisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian merr një hapësirë të rëndësishme. Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Austri, Roland Bimo, tregon gjatë për vlerën që kanë marrëdhëniet e mira diplomatike midis dy vendeve. Ai ka folur për marrëdhëniet dypalëshe gjatë tetë viteve të detyrës së tij në Austri. Specialja vazhdon me një përshkrim të detajuar të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe përkrahjes që ka dhënë Austria në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e cila duhet theksuar se ka qenë vërtet një mbështetje e fortë dhe domethënëse.

Në planin ekonomik, si histori suksesi apo urë lidhëse mes dy shteteve, revista ka botuar historinë e Samir Manes, sipërmarrësit të njohur shqiptar, presidentit të BALFIN Group, një konglomerati që operon në 8 shtete ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, me mbi 6 mijë punonjës.

Revista i kthehet fillimit të aktivitetit si sipërmarrës të Samir Mane, aktiviteti që nisi pikërisht në Vjenë në vitin 1993. Aty sipërmarrësi shqiptar kishte emigruar si shumë shqiptarë të tjerë gjetkë nëpër Evropë për një jetë më të mirë pas rënies së komunizmit.

“Lidhjet e mia me Austrinë janë shumë të forta. Unë erdha në këtë shtet si emigrant dhe u ktheva në vendlindje si biznesmen pas 14 vjetësh. Emigrimi në Austri që kur isha shumë i ri më ndihmoi që të zhvilloja kontakte dhe të ndërtoja biznese në shtete të ndryshme, përfshi Shqipërinë.  Udhëtimi im ka qenë një rrugë e gjatë dhe me stuhi, dhe jo një hedhje sistematike hapash. Duhet të gjesh veten dhe duhet të jesh vetvetja; fuqia jote është së brendshmi, jo së jashtmi” Jam i sigurt se bashkëpunimi midis dy vendeve do të vazhdojë të jetë gjithashtu i shkëlqyer edhe në të ardhmen” – citon revista Society Samir Manen.

Kur ai mbërriti në Austri 30 vjet më parë, ndoshta nuk do ta kishte menduar se sa i suksesshëm do të bëhej një ditë, – shkruan Society. Revista përmend edhe medaljen e Nderit të Lartë që Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, i akordoi Samir Manes në vitin 2019. Kjo medalje është mirënjohja më e madhe që jep presidenti austriak për shtetasit e huaj.

Në lidhjet mes dy vendeve, nuk ka mbetur jashtë vëmendjes as fakti se një ndër restorantet më të mira në Vjenë, restorant Orpheas, është themeluar atje nga një shqiptar dhe vazhdon të mbetet një ndër emrat më të spikatur të qytetit që mban në një nga muzetë e tij përmendoren dhe shpatën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.