Ballina Bota Uragani ‘Ian’ godet Floridën. Shpejtësia e erës 241 km/h. Dy milionë njerëz...

    Uragani ‘Ian’ godet Floridën. Shpejtësia e erës 241 km/h. Dy milionë njerëz pa energji elektrike

    1

    SHBA- Rreth 2 milionë njerëz në Florida vlerësohet të jenë pa energji elektrike pasi uragani Ian goditi mëngjesin e sotëm vendin duke përmbytur vijën bregdetare dhe duke dëmtuar infrastrukturën dhe pronën.

    Uragani, me erëra maksimale të qëndrueshme prej 150 mph (241 km/h), u vlerësua si stuhi e Kategorisë 4, klasifikimi i dytë më i fortë në shkallën me pesë nivele të meteorologëve.

    Miliona banorë u urdhëruan të evakuoheshin, megjithëse guvernatori i shtetit, Ron DeSandis, tha se ishte tepër vonë për të evakuuar njerëzit nga qarqet Collier, Lee, Sarasota dhe Charlotte, ku po afrohej stuhia.

    Florida Power & Light, kompania më e madhe e shtetit, paralajmëroi për “dëmtime të mëdha në infrastrukturën elektrike” dhe parashikoi se pjesë të sistemit të saj do të duhej të riparoheshin pasi uragani të kalonte nëpër shtet.

    Makinat e zhytura në ujë, parkingjet e përmbytura dhe ndërprerjet e energjisë elektrike janë disa nga skenat dramatike që po shohim në të gjithë Floridën jugperëndimore, ndërsa sistemi i stuhisë largohet nga bregu.

    Uragani Ian vazhdon të godasë brigjet e Floridës, me stuhi të forta dhe erëra me shpejtësi të lartë.

    Presidenti i SHBA, Joe Biden tha se kishte kontaktuar De Sandys për ta informuar atë se qeveria federale do t’i ofronte ndihmë Floridës. Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave të SHBA dërgoi 700 zyrtarë në Florida dhe dërgoi 3,5 milionë litra ujë dhe 3,7 milionë ushqime në Alabama, si dhe gjeneratorë.