Shumë shtetas ukrainas, të cilët janë larguar nga Ukraina për shkak të luftës dhe ndodhen në Shqipëri, mund të votojnë në vendin tonë për zgjedhjet e pasluftës.
Votimi jashtë vendit i ukrainasve në hapësirën evropiane, të cilët janë zhvendosur për shkak të luftës, ka qenë tema kryesore e një konference të organizuar në Bruksel, mbi “Sfidat dhe Nevojat për Organizimin e Votimit jashtë shtetit për Zgjedhjet pasluftarake të Ukrainës”, në të cilën mori pjesë edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Në këtë konferencë të nivelit të lartë përveç KQZ, Shqipëri, në dialog morën pjesë edhe organet e menaxhimit të zgjedhjeve nga Austria, Belgjika, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Gjermania, Hungaria, Letonia, Lituania, Moldavia, Polonia, Rumunia, Spanja, Suedia, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Në këtë konferencë u theksua se Bashkimi Evropian, shtetet anëtare dhe organet qendrore të administrimit zgjedhor duhet të konsiderojnë mundësitë për të ofruar mbështetje për Ukrainën për të siguruar që miliona votues të zhvendosur për shkak të agresionit rus të mund të votojnë në zgjedhjet e para pas luftës, sipas një dialogu midis ligjvënësve evropianë, organesh menaxhimi të zgjedhjeve dhe ekspertëve ndërkombëtarë.
Ky ishte edhe rekomandimi kryesor i Dialogut Parlamentar për Zgjedhje, i organizuar nga Parlamenti Evropian dhe Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmë Zgjedhore (International IDEA) në Bruksel.
Dialogu mblodhi kryesues dhe përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Ukrainës, Parlamentit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, shoqërisë civile, organeve të menaxhimit të zgjedhjeve nga e gjithë bota, institucioneve të Bashkimit Evropian dhe ofruesve ndërkombëtarë të ndihmës zgjedhore.
/rtsh.al/