Kryeministri Edi Rama ka vijuar turin e falënderimeve në Kukës dhe Tropojë, ku tha se këto bashki ishin pjesë e atyre të vështira për t’u fituar nga socialistët.
Për shkak të historisë, tha Rama, në këto bashki për qytetarët është shumë e vështirë që të votojnë majtas, por shtoi, se këtë herë kjo ndodhi për shkak të shumë komponentëve.
Përtej organizmit dhe punës të bërë në këto qytete, Rama tha se një arsye pse PS mori edhe më shumë vota ishte fakti se qytetarët refuzuan të behën pjesë e asaj “çorbe të pangrënshme që nuk ka asnjë lidhje me të djathtë”.
“Sukses edhe më i jashtëzakonshëm nuk është vetëm fitorja në Kukës apo Tropojë, por që PS është forcë e parë. Të mos i japim vetes vetëkënaqësinë për merita që nuk i kemi, sepse këtu ka patur disa faktorë që nuk kanë pas të bëjnë domosdoshmërish se çfarë kemi bërë ne por edhe me situatën e sotme politike.
Nuk diskutohet se në këtë fitore të madhe, edhe Kukësin dhe Tropojën e kisha te 11 bashkitë e diskutueshme dhe të vështira. Përtej socialistëve dhe organizmit tonë shumë të mirë, këtu luan rol edhe një lëvizje që ka ndodhur djathtas. Shumë njerëz që janë të djathtë e kanë të pamundur që të konceptojnë që të votojnë majtas apo për PS, por një pjesë e tyre këtë herë e ka parë shumë qartë se drejtimi për më shumë zhvillim është ta kalojnë votën majtas.
Kandidatët në Kukës, Tropojë, Shkodër apo Kamzë nuk kanë qenë socialistë tipik, dhe jo ka dikuar edhe në lehtësimin e kalimit të votës majtas. Një pjesë tjetër nuk kanë dalë në votim dhe për këtë i falënderoj. Janë shumë qe kanë braktisur atë lloj shporte karavidhesh dhe kanë marrë një vendim dinjitoz për të mos u përzierë me një çorbë të pangrënshme dhe të patretshme. Ajo çorbë nuk ka lidhje as me të djathtën dhe as me historinë e të djathtës. Ajo është në çorbë që do shkojë duke u tretur në gjithë zjarrin e marrëzisë së vetë”, tha Rama.
Për Ramën besimi që iu dha PS do të thotë më shumë sfida. Bujtinat dhe resortet për turistët që të eksplorojnë malet janë në fokus të kryeministrit, i cili tha se duhen bërë investime të zgjuara.
“Këto janë sfida shumë të mëdha, se do thotë ja ku e keni dhe çojeni vetëm përpara tani. Ne duhet t’i përgjigjemi kësaj sfide. Duhet zgjuar kapitali i jashtëzakonshëm i fjetur dhe për këtë duhen më shumë investime, rrugë, agroturizme dhe duhet të rrisim kapacitetet dhe mendoj se nuk është e largët dita kur edhe shtëpitë këtu të jenë në funksion të turistëve që vijën. Na duhen investime të zgjuara dhe një punë shumë e madhe. Bujtinat dhe resortet turistike që i përkasin pesës së malit duhet të lulëzojnë në këtë vend kaq të mahnitshëm nga natyra”, tha Rama.
Në zgjedhjet vendore të 14 majit në Kukës fitues u shpall kandidati i PS, Safet Gjici me 11632 vota. Edhe në Tropojë fitues u shpall Rexhe Byberi me 5127 vota i PS-së.
/rtsh.al/