Ballina Vendi Trupi i dekompozuar në Ersekë, policia hedh dyshime për vrasje me armë...

Trupi i dekompozuar në Ersekë, policia hedh dyshime për vrasje me armë zjarri

1

Në Kreshovë të Ersekës është gjetur një trup të shtunën, i cili besohet të jetë i një 28-vjeçari nga Erseka, i cili që në nëntor të vitit 2021 ka humbur kontaktet me çdo të njohur të tij.

Autoritetet bëjnë me dije se pranë trupit të dekompozuar janë gjetur një palë çelsa shtëpie dhe një telefon celular, Nokia. Punonjës të Policisë së Korçës kanë zbuluar se këto çelsa i përkasin personit të zhdukur prej 1 nëntorit të 2021, Sherif Mukaj.

Sipas një njoftimi zyrtar, dyshohet se Sherif Mukaj është vrarë me armë zjarri.

Fillimisht humbjen e Sherifit e denoncoi xhaxhai i tij, e me pas i ati, i cili jeton Amerikë. Në denoncimin që bënë disa muaj më parë, xhaxhai dhe babai nuk folën për konflikte të të riut apo ndonjë punë të dyshimtë të tij. Ndërkohë, që para se të humbiste ai ka pasur një vlerë rreth 5 milionë lekë të vjetra që ia kishte dërguar i ati nga SHBA.

NJOFTIMI ZYRTAR

Në vijim të informacionit paraprak të datës 11.06.2022, i cili bën fjalë për gjetjen e një kufome të seksit mashkull, të dekompozuar, në vendin e quajtur “Hau i Kreshovës”, në malin Gramoz, Kolonjë, ju informojmë se:

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e viktimës, nga këqyrja e skeletit, në pjesën e kafkës është konstatuar një vrimë tejshpuese që dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga përdorimi i armës së zjarrit. Nga kontrolli i ushtruar në vendngjarje, nuk është gjetur gëzhojë apo predhë arme zjarri. Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan një xhup, brenda të cilit kishte një aparat celular.

Nga të dhënat e deritanishme dyshohet se trupi i përket shtetasit Sh. M., 29 vjeç, banues në fshatin Starje, Kolonjë, i cili rezulton i larguar nga banesa që pas kallëzimit të bërë nga babai i tij, më datë 10.11.2021, pranë Komisariatit të Policisë Kolonjë.

Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, mbetjet kockore do të dërgohen në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja me paramendim”.