Avokati Esmerald Xhafa ka depozituar një kallëzim në Prokurorinë e Korçës ku kërkon që dy vëllezërit Donald dhe Romeo Veshaj të hetohen për dëme që mund tu kenë shkaktuar ikonave në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë, ku dhe kanë xhiruar klipin “Picasso”. Në një deklaratë përmediat, ai shprehet se ikona të tilla dëmtohen nga blici i kamerës dhe kurrsesi nuk mund të lejohen klipe në këtë Muze.Ai shton se tekat e VIP-ave nuk mund të tejkalojnë rëndësinë e objekteve të veçanta edhe nëse kanë marrë leje. Fjoralba Prifti, drejtoreshë e Muzeut të Artit Mesjetar tha se binjakëve Veshaj u është dhënë leje për këtë klip, pasi është konsideruar se ishte brenda rregullave.
Avokati Esmerald Xhafa: Unë sot kam dorëzuar një kallëzim në Korçë në lidhje me klipin që është xhiruar në Muzeun e Artit Mesjetar në Korç.ë të gjitha ikonat atje kanë një rëndësi të veçantë dhe nuk duhet përdorur drita e blicit për të xhiruar pasi i dëmton. Ka pamje dhe mjafton që të merren nga ana e prokurorisë për të provuar ekzistencën e një vepre penale që mendoj që është konsumuar. Kallëzimi penal konsiston përsa i përket shpërdorimit të detyrës nga ana e punonjësve të Muezut. Edhe nëse është marrë leja nuk mund të përdoren pamje apo blici për të filmuar ikona që dihet se sa të vjetra janë. Është edhe Muzeu i Fotografisë ‘Gjon Mili’ që është përdorur gjithashtu, por varësia nga institucionet ndryshon. Është iniciativë e imja personale, kur pashë klipin e pamje që janë përdorur, artin e duam të gjithë, por nuk mund të përdhosim ato vepra të rëndësisë së veçantë. Nuk kam parë asnjë klip që të realizohet në muze të kësaj katergorie. Ndoshta ne jemi vendi ku realizojmë dëshirat e VIP-ave, por duhet t’i mësojmë që të respektojnë gjithçka.Fjoralba Prifti, drejtoreshë e Muzeut të Artit Mesjetar: Ka kërkuar leje dhe i është miratuar. Nuk përbën asnjë shkelje, është lejuar që të bëhen disa xhirime që janë brenda etikës që lejohen nga muzeu.Nga vëllezërit Veshaj apo bashkëpunëtori i tyre Elgit Doda nuk ka asnjë reagim deri më tani.
Nderkohe pasditen e sotme ka reaguar dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë duke shprehur indinjate per perdhosjen e objekteve kishtare:
𝐒𝐇𝐐𝐄𝐓𝐄̈𝐒𝐈𝐌 𝐏𝐄̈𝐑 𝐏𝐄̈𝐑𝐃𝐇𝐎𝐒𝐉𝐄𝐍 𝐄 𝐏𝐄̈𝐑𝐒𝐄̈𝐑𝐈𝐓𝐔𝐑 𝐓𝐄̈ 𝐎𝐁𝐉𝐄𝐊𝐓𝐄𝐕𝐄 𝐊𝐈𝐒𝐇𝐓𝐀𝐑𝐄 Shprehim shqetësimin, keqardhjen dhe indinjatën tonë për përdhosjen e radhës ndaj objekteve liturgjike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, një nga trashëgimitë më të mëdha të kulturës së popullit tonë. Videoklipi muzikor “Picasso” xhiruar në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë, para ikonostasit të Rehovës (që padrejtësisht nuk i është kthyer akoma Kishës Orthodhokse, nën pretekstin e “ruajtjes” së kësaj trashëgimie të çmuar”), është një shenjë e dukshme mosrespektimi ndaj këtyre vlerave shpirtërore. Ky mjedis është krejt i papërshtatshëm, për vlerat që pasqyron, për promovimin e një lloji të tillë muzike. Aty, në respekt të traditës dhe kulturës që i ka krijuar këto objekte të shenjta, do përshtateshin tingujt e Muzikës Bizantine dhe jo tinguj që i fyejnë ato dhe trashëgiminë kulturore të vendit tonë. Ikonat janë objekte liturgjike të shenjta, të cilave besimtarët orthodhoksë iu afrohen me nderim dhe respekt të veçantë. Prandaj, është e papranueshme dhe e dhimbshme, që ato të trajtohen në mënyrë të papërgjegjshme nga ato institucione, të cilat pretendohet se duhet t’i ruajnë dhe t’i mbrojnë. Për këtë arsye kërkojmë përsëri, që ato t’i kthehen Kishës Orthodhokse (në bazë të Ligjit 10057, neni 22/2, datë 22.1.2009, “Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”), e cila jo vetëm i ka krijuar, por edhe i ka ruajtur me mund të madh ndër shekuj. Ikonat ruhen dhe mbrohen më mirë në ambientet kishtare, sepse janë objekte të shenjta liturgjike dhe pjesë e dukshme e shprehjes së Besimit orthodhoks. Lutemi dhe shpresojmë që Ministria e Kulturës të tregohet e kujdesshme dhe e ndjeshme ndaj objekteve kishtare dhe të respektojë ndjenjat fetare të Komunitetit Orthodhoks, duke mos lejuar përdhosjen e tyre. Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë Tiranë, 12 maj 2022